Negociata në Zall Herr me komandot e shkarkuara
Forcat komando të ushtrisë të shkarkuara disa ditë më parë nën “akuzën” e rebelimit ndaj shtetit kanë negociuar dje me Shtabin e Përgjithshëm për gjetjen e një rruge të drejtë ligjore që do të kënaqte të dyja palët. Megjithatë, burimet theksuan se ushtria është e vendosur për t’i shkuar deri në fund këtij rebelimi. Ndërkohë, dje në repartin e Zall Herrit në Tiranë ka qenë edhe ndihmëskomisioneri i Avokatit të Popullit, Sotiraq Nushi, i cili ka marrë të gjitha dokumentet për arsyet e largimit të komandove, si dhe ka kryer verifikime për të parë të gjitha të dhënat e këtij konflikti. Ndërkohë ka mjaftuar ankesa e komandove të Afganistanit për pagesën e dietës ditore, që për të gjitha misionet të ndryshojë vlera e kësaj diete nga 60 dollarë në 85 euro në ditë. Rritja e pagës është bëra pas ankesës me shkrim të firmosur në dhjetor 2009 nga 80 komando me shërbim në Herat dhe Shina të Afganistanit, të cilët u ankuan për pagesën e ulët dhe 10 përqindëshin që tatohej prej saj. Pikërisht ky problem financiar i komandove ka sjellë edhe largimin nga radhët e Forcave të Armatosura të 29 nënoficerëve, të cilët, sipas ministrisë dhe Shtabit të Përgjithshëm kanë thyer rregullat e ushtarakut. “Top Channel” thotë se ish-komandot e Afganistanit janë rebeluar dhe kanë turpëruar atdheun me aleatet, pasi në dhjetor ata përveç ankesës me shkrim kanë refuzuar të dalin me shërbim. Po nga ana e tyre, nënoficerët e përjashtuar thonë se neni 15 u jep të drejtën e ankesës në grup. Për këtë ata i janë drejtuar edhe Avokatit të Popullit për shkelje të të drejtave, pasi, sipas tyre, nuk kanë marrë asnjë motivim me shkrim se përse janë përjashtuar, por urdhri i largimit u është komunikuar nga roja në hyrje të institucionit. Por ndërsa ankesa për çështjet financiare të këtyre komandove u hapi probleme vetë atyre, nga kjo kanë përfituar të gjitha misionet jashtë Shqipërisë. Aktualisht vendi ynë ka misione në çad, në Afganistan, në Bosnjë për çminimin, në Irak dhe në Oseti të Gjeorgjisë, këta të fundit si vëzhgues të OKB-së.
#