Altin Binaj prezantohet në Prokurorinë e Durrësit
Prokuroria e Durrësit, pas kaosit katërmujor, e ka tashmë drejtuesin e saj. Ai do të jetë Altin Binaj, i cili, pas propozimit të kryeprokurores Ina Rama, është dekretuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Dje është zhvilluar analiza vjetore e akuzës Durrës, ku morën pjesë zyrtarët më të lartë të Prokurorisë së Përgjithshme. Këta të fundit, në fillim të analizës i kanë bërë me dije stafit se tashmë drejtuesi i ri do të jetë prokurori Altin Binaj, i cili një javë më parë drejtonte Prokurorinë e Fierit. Në këtë akuzë ai ka hetuar një nga çështjet e bujshme gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare, atë të konfliktit të Ruzhdies. Prokuroria e Durrësit konsiderohet si një nga akuzat më të rëndësishme dhe, pas largimit të Arjan Ndojës, kjo akuzë kishte mbetur pa drejtues. Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme verifikoi 15 kandidatura dhe pas votimit vetëm katër prej tyre kanë marrë vota. Megjithatë, gjatë kësaj faze në Prokurorinë e Durrësit u komandua prokurori Bujar Sheshi, të cilit i përfundoi emërimi në fillim të këtij muaji. Vonesa e zgjedhjes së drejtuesit ka sjellë një kaos dhe menjëherë ka ndërhyrë kreu i shtetit, i cili ka dekretuar me shpejtësi Altin Binajn. Nga ana tjetër, pas emërimit të Binajt në Durrës, akuza e Fierit ka mbetur pa drejtues. Tashmë do të fillojnë procedurat për emërimin e një drejtuesi.
#