Lavdërim Tufa kërkon pavlefshmëri të provave
Lavdërim Tufa, i akuzuar për vrasjen e Fatmir Ramës, ka kërkuar pavlefshmëri të provave, si dhe rifillim të procesit penal ndaj tij, duke mos pranuar akuzat. Me anë të avokatit të tij, ai i kërkoi trupit gjykues pavlefshmërinë e provave, të cilat janë paraqitur nga organi akuzës. Sipas avokatit të Tufës janë shkelur disa nene të procedurës penale dhe besueshmëria e këtyre provave është në dyshim, deklaroi përfaqësuesi ligjor i Tufës. Më konkretisht, kapuçi i sekuestruar pranë vendit të ngjarjes, në të cilin janë gjetur disa pika gjaku dhe një fije floku, si dhe pavlefshmëri të fashikujve të përkthyera nga gjuha italiane në gjuhën shqipe, pasi kanë probleme. Ndërkohë në përgjigje të kërkesës organi i akuzës tha se kërkesa nuk duhet të pranohet, pasi kapuçi për të cilin bëhet fjalë është analizuar nga organet kompetente dhe është fotografuar. Në lidhje me përkthimet, ato janë përkthyer nga specialisti gjuhës, i cili ka firmosur duke u paralajmëruar dhe për përgjegjësitë penale.
Gjykata vendosi që për pretendimin e palëve të shprehej në një moment tjetër procedural, pasi të rishikonte edhe një herë provat. Më pas prokuroria i kërkoi trupit gjykues thirrjen e disa dëshmitarëve për të dëshmuar në seancën e radhës. Lavdërim Tufa akuzohet për vrasjen e shtetasit Fatmir Rama ose i njohur ndryshe si Miri i Xhikës. Vrasja e Ramës ka ndodhur më 29 mars, rreth orës 19.50, brenda lokalit “Kartodromi 2000”, ku ai po shikonte ndeshjen Shqipëri-Rusi. Në atë moment, viktima ka qenë në shoqërinë e Ylli Kelmendit, Flamur Rrapajt, Kristaq Camit e Julian Durishtit. Dy persona të maskuar qëlluan me breshëri kallashnikovi, duke zbrazur mbi ta 60 gëzhoja dhe më pas u larguan. Policia arrestoi më 26 nëntor të 2004-s Lavdërim Tufën nga Lundra. Gjetja e njollave të gjakut në disa vende, rruga që kishin përshkuar tregonte se e njihnin mirë zonën dhe rrugicat për t’u fshehur nga ndjekja prej policisë, zbuluan Lavdërim Tufën.
#