E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnjë, kamioni vret vajzën 10 vjeçe

Dy aksidente të rënda automobilistike, njëri me pasojë vdekjen e një fëmije, kanë ndodhur gjatë orëve të paradites së djeshme. Një vajzë 10 vjeçe nga Lushnja ka gjetur vdekjen si pasojë e një përplasjeje nga një kamion tip "Saurer". Aksidenti ka ndodhur mesditën e së hënës, në autostradën Lushnjë-Rrogozhinë, pranë fshatit Zhamë, rreth 10 km larg qendrës së qytetit. Dëmtimet kanë qenë të rënda dhe i kanë shkaktuar vdekje të menjëhershme fëmijës. Sipas policisë, kamioni po ecte me shpejtësi kur vogëlushja i ka shpëtuar nga duart së ëmës dhe ka hyrë papritur në rrugë. Policia ka arrestuar shoferin e kamionit menjëherë pas ngjarjes. Ndërkohë, drejtuesi i një autoveture është plagosur rëndë dje në aksin rrugor Bulqizë-Burrel. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur "Dushku i Kuq", vetëm rreth dy kilometra larg Qafës së Buallit. Makina e drejtuar nga 47-vjeçari Zenel Kurti, nga Bulqiza, ka dalë nga rruga duke përfunduar 200 metra në humnerë. Ai është plagosur rëndë dhe pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Bulqizës, është transportuar me helikopter drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë, për trajtim më të specializuar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›