E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset me tri plumba një 34-vjeçar

Një 34-vjeçar nga Vlora është plagosur me armë zjarri në orët e vona të mbrëmjes së të dielës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30 pranë zyrave të postës qendrore, në zonën e tregut të madh të qytetit bregdetar, për shkaqe ende të panjohura. Mësohet se Adnand Shehu, lindur dhe banues në Vlorë, është qëlluar me tre plumba nga një person ende i paidentifikuar nga policia. Pasi ka rënë përtokë i përgjakur, i riu është dërguar për në spitalin e qytetit nga kalimtarët e rastit. Me të mbërritur në spital, 34-vjeçarit i është dhënë ndihma e parë e më pas është transportuar për në bllokun operator. Mjekët që e kanë asistuar pohojnë se një nga plumbat i ka shpuar kraharorin, një tjetër i ka përshkuar krahun, ndërsa plumbi i tretë pjesën legenit. Megjithatë, mjekët thanë se pas ndërhyrjes Shehu ka dalë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, policia e Vlorës ka nisur punën për zbardhjen e ngjarjes. Megjithëse nuk ka ende një version zyrtar, burimet policore thonë se dyshohet për një grindje të çastit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›