E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes punëtori, arrestohet drejtori teknik i ndërtimit

Aksidentohet për vdekje 44-vjeçari, ndalohet drejtori teknik i objektit në ndërtim, ku ka humbur jetën punëtori. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në qytetin bregdetar të Durrësit. Fatmir Ymeri, punëtor ndërtimi, është goditur nga një pllakë mermeri, që ka rënë nga katet e sipërme të pallatit në ndërtim, duke i ka shkaktuar atij dëme të pariparueshme. Ndërkohë, mësohet se pas ngjarjes së rëndë është ndaluar Sali Vidrica, 52 vjeç, me origjinë nga Tropoja, i cili mban detyrën e drejtorit teknik të objektit në ndërtim, ku gjeti vdekjen 44-vjeçari. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se Ymeri, i cili siguronte të ardhura nëpërmjet punës së tij në sektorin e ndërtimit, nuk ishte i siguruar, ashtu si nuk janë shumica e atyre që punojnë në këtë sektor. Ai ka qenë duke punuar kur është goditur nga pllaka, që i ka shkaktuar plagë të rënda në kokë dhe në pjesët e sipërme të trupit. Shokët e tij të punës kanë nxituar ta dërgojnë me shpejtësi për në spitalin rajonal të qytetit, por ndërhyrja ka qenë e kotë. Ymeri nuk i ka shpëtuar dot vdekjes. Burime policore bëjnë të ditur se pas ngjarjes, në ambientet e Komisariatit të Durrësit është shoqëruar 52-vjeçari Sali Vidrica, drejtuesi i punimeve në pallatin ku ndodhi aksidenti dhe më pas konfirmohet se ai është ndaluar nga uniformat blu të këtij qyteti. Ndërkohë që po hetohet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe përcaktuar përgjegjësitë konkrete. Hetimet janë përqendruar në masat e sigurisë së munguar gjatë kryerjes së punimeve nga firma e ndërtimit, ndërkohë që mësohet se vdekja mund të ishte parandaluar nëse firma do të zbatonte masat e sigurimit teknik, ku përfshihet dhe pajisja e punëtorëve me kaska mbrojtëse për rastet kur punohet në ndërtesa të larta. Vitet e fundit, numri i personave që humbasin jetën në sektorin e ndërtimit ka pësuar një rritje të frikshme, ndërkohë që masat ndaj firmave që nuk realizojnë kushtet e sigurimit teknik në punë kanë qenë thuajse inekzistente.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›