Rama: Berisha s'bëri asgjë për të persekutuarit
Kryetari i PS-së, Edi Rama, prezantoi kandidatët e Qarkut të Shkodrës. Pritet si asnjëherë tjetër
Shkodër- Asnjëherë në këto 18 vjet pluralizëm politik, qyteti i Shkodrës nuk i ka rezervuar një pritje të tillë PS-së. Sheshi "Luigj Gurakuqi" ka shënuar mitingun më festiv të bërë ndonjëherë nga PS-ja në këtë qytet.
Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka prezantuar kandidatët e këtij qarku, duke u përqendruar gjatë fjalës së tij, tek persekutimi komunist ndaj këtij qyteti".
I jam mirënjohës Shkodrës për shpirtin evropian të rezistencës ndaj mësymjes vrastare të territ komunist, që u derdh me gjithë fuqinë e tij mbi këtë qytet, me forcën e një mendjeje destruktive kundër një mendjeje krijuese.
I detyrohemi Shkodrës, jo vetëm mirënjohje, por dhe përkushtim, për të nderuar jo vetëm me fjalë, por dhe me vepra, poetët që e deshën zonjë, artistët që deshën dritë, rilindasit që e deshën shëmbëlltyrë të lirisë, shkodranët e shkodranet që e deshën Shkodrën të hijshme e të begatë",- tha Rama.
Ai shtoi: "Të gjithë qytetarëve të Shkodrës, u them sot se errësira që diktatura e Enver Hoxhës kalli në shpirtin e shqiptarëve, është sot e gjithë ditën ushqimi i ndasisë e sherrit, që politika e vjetër mban gjallë mes nesh , dhe ta ndash e ta mbash në konflikt Shqipërinë në emër të së shkuarës komuniste, siç bën enveristi i djeshëm dhe demokratikasi i sotëm, Sali Berisha, do të thotë të mbash gjallë botëkuptimin errësirë të Enver Hoxhës, dhe t'ua mbash kohën shqiptarëve në vend nga pikëpamja shoqërore.
Jam këtu për ta bërë të ecë kohën shqiptare, jo duke u thënë shkodranëve pse duhet të ndahen në emër të së shkuarës komuniste, por duke u thënë se përse duhet të bashkohen në emër të së ardhmes evropiane, që është njëkohësisht dhe e shkuara oksidentale e Luigj Gurakuqit dhe Migjenit".
Lideri i opozitës theksoi se, Berisha nuk ka bërë asgjë për të persekutuarit e regjimit komunist. "Ky komunist nuk ka bërë asgjë për këtë shtresë, dhe flet në emër të tyre, por sot e gjithë ditën nuk ka bërë asgjë për ta",- tha ai. Ai bëri thirrje që, pas 19 ditësh, shqiptarët të shkojnë përtej së majtës dhe së djathtës, për një politikë te re që do të ndryshojë qeverisjen e këtij vendi.
"U bënë 18 vjet që politika e vjetër premton liri lëvizjeje, u bënë 18 vjet që emigrantët tanë nuk mund të hyjnë e të dalin në Shqipëri kur dhe ku të duan, u bënë 18 vjet që ato presin të takohen me familjet e tyre lirisht, që të afërmit e tyre të mund të shkojnë kur të duan tek ata, pasi kjo nuk është e mundur.
Sali Berisha premton prapë se do t'i heqë vizat, por sot Shqipëria ka mbetur jashtë procesit të liberalizimit të vizave ku u fut dhe Serbia dhe kjo jo për faj të shqiptarëve apo Evropës, por vetëm për shkak të politikës së Sali Berishës",- tha Rama.