Mediu: Duan të na fusin në sherr me pronarët
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, bëri me dije nga Tepelena se individë me interesa politike kërkojnë të prishin marrëdhënien PR-pronarë. "Partia Republikane, që në fillimet e saj, ka qenë mbrojtëse dhe përfaqësuese e ish-pronarëve. Që në themelimin e PR, kemi kërkuar kthimin e pronës pronarit dhe njohje të pronës private. Ne kemi përfaqësuar në Parlament, për legjislatura të tëra pronarët, duke ngritur zërin për kërkesat e tyre. Asnjë forcë tjetër politike, parlamentare, opozitare apo në mazhorancë, nuk e ka bërë këtë siç e ka bërë PR", u shpreh Mediu. Kryetari i republikanëve theksoi se të gjithë pronarët, të mos lejojnë individë të caktuar t‘i përfaqësojnë, individë të cilët për interesa personale politike, mohojnë, kërkojnë të prishin këtë marrëdhënie midis PR dhe ish-pronarëve. "Ju siguroj se Partia Republikane do të vazhdojë të ngrejë zërin për kompensimin e ish-pronarëve", u shpreh Mediu. Ditar Hodaj është kandidati i PR-së për Qarkun e Gjirokastrës.