Lutaj: Berisha shkel Kushtetutën
28/12/2009 Liritë dhe të drejtat e njeriut
Partia Socialiste komentoi dje raportin mbi liritë dhe të drejtat e njeriut, i publikuar nga 70 organizata joqeveritare, qendrore dhe lokale. Sipas deputetit të PS-së Piro Lutaj, qeveria “Berisha” ka shkelur Kushtetutën sa i takon një çështje të tillë dhe për këtë arsye ai veçoi disa nga pikat kyçe të këtij raporti. “Si një prej çështjeve kryesore është renditur dhe heshtja vrastare e strukturave shtetërore përgjegjëse për zbardhjen e motiveve dhe autorit të vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi. Partia Socialiste vazhdon të kërkojë me forcë zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Ndërsa shteti i Sali Berishës hesht për vrasjen e një deputeti në prag të shtëpisë, ndërkohë që nuk harron të mburret në mënyrë qesharake për kapjen e disa hajdutëve dyqanesh”, - vlerësoi Lutaj. Po kështu ai u ndal dhe tek tragjedia e Gërdecit. Një prej çështjeve të renditura në këtë raport është tragjedia e Gërdecit. Dëshmitë e shumta të punëtorëve të fabrikës së korrupsionit qeveritar, të cilat përcillen nga mediet ditë pas dite, por dhe në sallën e gjyqit, kanë forcuar bindjen e opinionit publik se në këtë aktivitet të licencuar nga qeveria e Sali Berishës punonin të mitur, por edhe gra të patrajnuara për rrezikshmërinë e lartë të kësaj fabrike demontimi”, - theksoi ai. Nga ana tjetër, Lutaj kritikoi qeverinë “Berisha” edhe lidhur me menaxhimin e sistemit të burgjeve, ku raporti ngre shqetësime për trajtimin e të shoqëruarve, të arrestuarve dhe të dënuarve nëpër burgjet shqiptare. “Kjo kambanë alarmi, që bie fort për mungesën e respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, tregon se në Shqipëri nuk respektohet Kushtetuta e këtij vendi, dhe kjo bëhet nga qeveria me Sali Berishën në krye”, - deklaroi Lutaj.