E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Krenarë për bashkëjetesën fetare

28/12/2009  Komiteti Shtetëror për Kultet drekë për festat e fundvitit
“Modeli ynë mund të përcillet përtej kufijve, në vendet më të zhvilluara”
Bashkëjetesa fetare në vendin tonë është një model që mund të transferohet dhe përtej kufijve - ky është mesazhi i lëshuar dje nga Kryetarja e Kuvendit, Jozifina Topalli, gjatë fjalës së mbajtur në një drekë festive të komuniteteve fetare. “Bashkëjetesa fetare në Shqipëri është mençuri, është urtësi, por është edhe vizion për të ardhmen e vendit dhe kombit”, - vlerësoi kryeparlamentarja Topalli, e ftuar në një drekë të veçantë mes krerëve të komuniteteve fetare në Shqipëri, organizuar nga Komiteti Shtetëror për Kultet. Sipas saj, viti që po lëmë pas ishte një vit i mbarë për të gjithë shqiptarët, që për nga ngjarjet që pati do të hyjë në historinë e proceseve integruese të kombit tonë. Por ndërkohë ishte dhe një vit që në raportet me komunitetet fetare ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm. “Ky ishte një vit në të cilin shteti ka nënshkruar marrëveshje me të gjitha komunitetit fetare pas konsultimeve dhe marrjes parasysh të çdo sugjerimi të secilit prej komuniteteve. Qeverisja demokratike ka miratuar ligjin për financimin e komuniteteve fetare, ligj i cili nuk ka ekzistuar më parë”, - u shpreh Topalli. Njëkohësisht, fokusuar te bashkëjetesa fetare, kryeparlamentarja nënvizoi se “ne shqiptarët kemi vlera të jashtëzakonshme, që mund t’i përcjellim tek të tjerët. Kjo bashkëjetesë, ky bashkëpunim, ky mirëkuptim që ekziston midis nesh, është modeli që ne mund të përcjellim përtej kufijve, edhe në vendet që janë më të zhvilluara, edhe në vendet me një traditë më të zhvilluar demokratike. Kjo është vlera e vërtetë e një kombi dhe ne jemi jashtëzakonisht krenarë.”
Takimi
Komiteti Shtetëror për Kultet organizoi dje një drekë të veçantë mes krerëve të komuniteteve fetare në Shqipëri me rastin e festave të fundvitit. Në këtë takim, ku u përcollën mesazhet e harmonisë mes komuniteteve fetare, morën pjesë kreu i Komunitetit Mysliman, haxhi Selim Muça, kreu i Kishës Katolike imzot Rrok Mirdita, përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Andon Merdani, kreu i Kryegjyshatës Bektashiane Dede Reshat Bardhi si dhe përfaqësues të trupit diplomatik. Nga ana e saj Kryetarja e Kuvendit tha se viti që vjen do të shënojë një ngjarje tjetër të madhe: do të jetë viti i lëvizjes së lirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›