Pas Vrapit dhe Orelesit, kush e ka radhën të ulet në stolin korçar?
Trajneri çek luan skemën 4-1-4-1, skemë e cila do të praktikohet edhe në Durrës këtë fundjavë për kampionat ndaj teutës
Sërish ndryshime për Skënderbeun e trajnerit të ri Stanislav Levi dhe këtë herë këto ndryshime vijnë në Kupën e Shqipërisë, një provë gjenerale përpara asaj prove të madhe që korçarët kanë për të luajtur në Durrës ditën e diel për kampionat. Trajneri çek, në kupë ka arritur të shënojë edhe fitoren e parë në krye të pankinës korçare, ndërkohë që kujtojmë se fundjavën e kaluar Skënderbeu po nën drejtimin e tij barazoi 0-0 me Kamzën, për kampionat.
Kjo do të thotë që Levi e bëri sefte me fitore dhe, pavarësisht se vinte ndaj një ekipi të kategorisë së parë, si Besa, duhet thënë se ka qenë më shumë një fitore morali. Vetëm 2-3 raste sërish për Skënderbeun e Levit përpara portës dhe po kaq raste edhe në ndeshjen e parë të tij, do të thotë që skuadra vijon të vuajë në vijën e parë të sulmit. Vetë Levi kishte premtuar se në kupë ndaj Besës do të luante me skemë ndryshe nga ndeshja e parë dhe ai përdori skemën 4-1-4-1, një skemë që nuk bindi shumë me lojën që zhvilluan futbollistët e tij, por edhe për të më e rëndësishme ishte fitorja.
Ndryshimet Sërish do të ketë ndryshime në formacionin e Skënderbeut. Ndaj Kamzës, në javën e kaluar, Vrapi u ul në stol për ti lënë vendin Gvozdenoviçit, ndërkohë që të mërkurën Levi uli në stol Orelesin, ashtu siç duhet thënë se u aktivizua vetëm 15 minuta Radas, pasi ai do të mungojë në Durrës. Të gjitha këto ndryshime kanë ardhur për atë se Levi kishte mundësinë më të mirë për të kryer provën e tij gjenerale me ekipin përpara ndeshjes ndaj Teutës dhe ai vetë ia ka arritur qëllimit.
Një Skënderbe pa shumë shkëlqim ky i epokës së re të Levit, por duhet të presim akoma dhe prova e vërtetë do të jetë ajo e Durrësit, pasi kreu i pankinës mbush pothuajse dy javë nën drejtimin e Skënderbeut ditën që skuadra e tij do të luajë në Durrës. Edhe vetë Levi, pas ndeshjes ndaj Besës, e ka deklaruar hapur se nuk ka qenë shumë i kënaqur me lojën e skuadrës së tij, ndërkohë që ka qenë i kënaqur vetëm për tripikëshin e parë të Kupës së Shqipërisë.
Trajneri Nuk kam qenë shumë i kënaqur me lojën që zhvilloi skuadra, por ne fituam. Kjo tregon se duhet akoma shumë punë dhe, ndaj Besës, edhe pse ishte për kupë, ne duhet të luanim akoma më mirë. Ndoshta ndikoi terreni, ndoshta ndikoi edhe skuadra e mirë që kishim përballë, pasi pavarësisht se është në kategorinë e parë, nuk pati shumë dallime në fushën e lojës.
Unë besoj shumë te ndryshimi i Skënderbeut dhe të presim dhe të besojmë të gjithë se kampionët do të rikthehen. Tani duhet të ulim kokën dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës që ne do të luajmë në kampionat ndaj Teutës, një ndeshje vërtet shumë e rëndësishme dhe shumë e vështirë njëkohësisht, – ka deklaruar trajneri i Skënderbeut.
