Prokuroret hetojne saldatricen ne Gerdec
09/02/2010 Administrohet si provë saldatriçja
TIRANE- Prokurorë, oficerë gjyqësore dhe disa avokatë të të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit, janë rikthyer dje në vatrën e shpërthimit, ku kanë kryer ekzaminimin e saldatriçes që mendohet se u bë shkak i shpërthimit të fuqishëm të 15 marsit 2008. Pajisja është gjetur pak kohë më parë në oborrin e banesës së shkatërruar të familjes Deliu dhe për këtë gjykata e Tiranës, ka urdhëruar Prokurorinë që të kryejë veprimet hetimore me qëllim administrimin ose jo si provë në dosjen “Gërdeci”, ku po gjykohen 28 të pandehur. Për më shumë se tre orë hetuesit kanë kryer këqyrjen e vendit dhe kanë marrë në cilësinë e provës materiale saldatriçen, e cila do t’i nënshtrohet një analize më të specializuar me qëllim nxjerrjen e një rezultati konkret mbi përdorimin e saj të fundit. Kjo gjë është kryer pas pretendimeve të avokatëve se shpërthimi i fabrikës së Gërdecit ka qenë një akt kriminal dhe aksidental. Ndërkohë që ky pretendim është hedhur poshtë herë pas here nga Prokuroria, e cila nga hetimet që ka kryer lidhur me ngjarjen në fjalë, por edhe duke u mbështetur në ekspertizën e amerikanëve, ka dalë në përfundimin se shpërthimi ka ardhur si pasojë e saldimit të një karroce, e cila tashmë është futur në listën e provave materiale. Aktualisht procesi gjyqësor ndaj 28 të pandehurve midis të cilëve Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli dhe Ylli Pinarit vazhdon me deklarimet e dëshmitarëve dhe punëtorëve që kanë punuar në ambientet e fabrikës së demontimit të municioneve luftarake. Në seancën e fundit ka dëshmuar ish-brigadieri i fabrikës, Veiz Muça, i cili gjatë dëshmisë së tij pohoi para trupit gjykues se në fabrikë nuk kanë punuar gra dhe fëmijë. Kjo gjë irritoi prokurorët e çështjes, të cilët kërkuan menjëherë arrestimin e tij, duke e akuzuar për dëshmi të rreme. Gjithashtu në gjykatë është pyetur edhe i mbijetuari i familjes Deliu, i cili ka thënë se babai i tij që humbi jetën gjatë shpërthimit, ditën e tragjedisë nuk ka salduar asnjë karrocë. Fill pas kësaj dëshmie ai iu drejtuar kafazit të hekurt ku qëndronte i pandehuri Dritan Minxolli, të cilit i zgjati dorën për ta takuar. E. Qyno