Nis verifikimi i eshtrave
09/02/2010 Kjo kategori pushkatohej në Malin me Gropa. Kockat mund të jenë të diversantëve
Tre institucione verifikime për identifikimin e kockave. Zbulimi pas kthimit të ligjit nga Gjykata Kushtetuese
ELTON QYNO
TIRANE- Zbulimi i 19 kufomave në një var masiv që ndodhej në këmbët e malit të Dajtit, ka tërhequr vëmendjen e strukturave të Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore. Mësohet se fillimisht eshtrat e 19 personave, kanë dalë në dritë në muajin nëntor të vitit 2009, ku Agron. H., i cili përpiqej të lokalizonte eshtrat e babait të tij, duke gërmuar ka zbuluar një var masiv, i cili shtrihej në një sipërfaqe toke 100 deri 150 m2. Sasia e madhe e kockave ka bërë që personi t’i drejtohet për ndihmë arkivave të Ministrisë së Brendshme dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilët pasi kanë kryer gërmimet i kanë futur eshtrat e personave të pushkatuar me një plumb pas koke, në disa qese duke i transportuar më pas në morgun e kryeqytetit. Aktualisht identiteti i tyre nuk dihet, por flitet se eshtrat mund të jenë të të dënuarve politikë. Ndërkohë të pyetur nga gazeta “Metropol”, burimet pranë Ministrisë së Brendshme thanë se varri masiv që është zbuluar disa muaj më parë në fshatin Qerret, nuk i përket të dënuarve politikë, pasi nga të dhënat që ata kanë, rezulton se pushkatimi i të dënuarve politikë bëhej disa kilometra më larg se vendi ku është gjetur varreza masive. Sipas tyre, kockat që janë gjetur në rrëzën e malit të Dajtit, afër vendstrehimit për kohë lufte të ish- Komitetit Ekzekutiv, ka shumë gjasa që t’i përkasin personave që në periudhën e komunizmit cilësoheshin si kriminelë. “Këta mund të jenë diversantë ose eksponentë që vepronin në formën e bandave kriminale dhe që në vitet 1975-1979 ndiqeshin nga agjentura shtetërore që drejtohej prej ish-ministrit të Brendshëm të asaj kohe Kadri Hazbiu”,- pohuan burimet. Këto të fundit nuk thanë se nga cili qytet i vendit mund të jenë kufomat, por shtuan se ka shumë mundësi që ato të mos jenë vetëm nga Tirana, por edhe nga qytetet e tjera. Ndërkohë ata hodhën poshtë idenë se eshtrat janë të të dënuarve politikë, duke pohuar se nga dokumentacioni i arkivuar është konstatuar se pushkatimi i kësaj kategori, kryhej gjithmonë në shpatet dhe luginat e Malit me Gropa. Aktualisht pritet përgjigjja e Institutit të Mjekësisë Ligjore, e cila nëpërmjet krahasimit të ADN-së dhe analizave të tjera, do të mundësojnë identitetin e 18 viktimave që mendohet se janë pushkatuar nga sigurimi i shtetit në vitet ’70. Oficerë të Policisë Gjyqësore si dhe prokurorë të Tiranës kanë dhënë urdhër për kryerjen e analizave, të cilat thuhet se do të zgjasin disa kohë. Zbulimi i varrit masiv me 18 persona të pushkatuar vjen në një kohë kur Gjykata Kushtetuese, ktheu një javë më parë ligjin e lustracionit të miratuar në 2009-ën nga Parlamenti shqiptar. Lënia në fuqi të këtij ligji do t’i hapte rrugën hapjes së të gjitha dosjeve të sigurimet të shtetit dhe nëpërmjet tyre, mendohej se do kryhej pastërtia e figurave publike. Nuk dihet me saktësi, por qarkullojnë zëra se disa anëtarë të trupit gjykues të Gjykatës Kushtetuese, kanë gjykuar një sërë dosjesh të sigurimit të shtetit, ku dhe në disa raste kanë dhënë dënime me pushkatim. Shoqatat e ish-të burgosurve politikë besojnë se 5577 burra dhe 450 gra u ekzekutuan gjatë regjimit komunist nga viti 1946 deri në vitin 1991. Dy dekada pas rënies së komunizmit, mijëra familjarë të të burgosurve të ekzekutuar, ende po kërkojnë se ku prehen të afërmit e tyre.
Komunistët akuzonin Gestapon gjermane për masakrën
Masakra e Oparit, varr me 170 veta
Balli Kombëtar fajësonte komunistët si shkaktarë
Varret e përbashkëta kanë qenë përherë një ndër ngjarjet më të zakonshme gjatë luftërave, por një prej këtyre masakrave mbetet ajo e Oparit, si një e dhënë konkrete për mizoritë e ushtruara ndaj popullatës apo forcave ushtarake. Kështu, duke iu referuar të dhënave të profesor Vasfi Barutit, mësohet se në vitet 1943-44, është zbuluar një gropë ku ishin varrosur 170 veta. Varri masiv u zbulua në përroin e Shipckës, në zonën e Oparit, Korçë. Menjëherë pas këtij zbulimi tronditës u hap edhe lufta frontale verbale mes dy kampeve më të mëdha politike të kohës, krahut komunist dhe atij ballist. Kësisoj, ballistët nxituan të parët të akuzonin komunistët si shkaktarë të kësaj masakre, duke publikuar një akt në revistën “Rina e Ballit”, ku thuhej se forcat komuniste kishin ekzekutuar 170 forca antikomuniste. E menjëhershme ishte edhe kundërpërgjigjja e komunistëve, por këta të fundit akuzuan Gestapon gjermane si shkaktare të kësaj masakre. Këto përplasje mes dy kampeve vijonin me argumentet përkatëse, pasi Balli Kombëtar pretendonte se Ushtria e Kuqe e Stalinit vriste oficerë, ushtarë dhe të pafajshëm. Në këtë revistë thuhej se “Gestapo mbi të gjitha. Bashkimi me okupatorin dhe luftë për vdekje Partisë Komuniste dhe këshillit NÇL. Luftë për shtypjen e popullit se vetëm në këtë mënyrë mund të kemi një Shqipëri etnike”. Nga ana tjetër Enver Hoxha shprehej se “Në Vlorë shohim të vriten shokë e shoqe me një mënyrë jo të drejtë dhe që tregon qartazi se vija politike e partisë është kuptuar gabim dhe zbatohet ngurtë, jo vetëm sa i përket nacionalistëve, por edhe moralit. Në Lumë po vriten me plumb kot së koti e në mënyrë histerike 20 katundarë, të cilët dorëzoheshin dhe shokët tanë i pushkatojnë”.
52-vjeçari s’pranon krimin
Vrau ish-atletin, policia
arreston Avni Gasën
TIRANE- Forcat e policisë kanë zyrtarizuar arrestimin në flagrancë të 52-vjeçarit Avni Gasa, lindur në Mat dhe banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka shkaktuar vrasje me armë në një lokal të Kamzës dy ditë më parë të shtetasit Hasan Rakipi. Sipas burimeve zyrtare, gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën e Gasës u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 100 copë fishekë, mod. 56 si dhe 24 copë kapsolla detonatore. Vetë i arrestuari nuk ka pranuar akuzën e policisë, por ka qenë dëshmia e motrës së tij që ka fundosur 52-vjeçarin nga Burreli. Sipas dëshmisë së motrës, Avni Gasa në momentin kur ka ndodhur krimi ka qenë jashtë ambienteve të lokalit, çka ka bërë që hetuesit të drejtojnë menjëherë gishtin mbi 52-vjeçarin. Aktualisht nuk dihet me saktësi se cili ka qenë motivi i ekzekutimit të ish-oficerit të Gardës dhe ish-atletit të Dinamos Hasan Rakipi, por hetuesit dyshojnë se shkak i kësaj ngjarje mund të jetë bërë ndonjë konflikt mes viktimës dhe autorit. Rakipi njihej në zonën e “Brrakës” si një frekuentues i rregullt i alkoolit. E. Qyno