E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH: Studentët e Vlorës do të marrin DIND



Ministria e Arsimit i ka kërkuar dje zyrtarisht Universitetit të Vlorës, që të pajisë të gjithë studentët me diploma universitare katërvjeçare, të cilat do të jenë të barabarta me Diplomat e Integruara të Nivelit të Dytë.

“Në bazë të nenit 88, të ligjit nr. 9741, datë 21.05.2007, “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë“, i ndryshuar, studentët e regjistruar në një program studimi para hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të vazhdojnë dhe përfundojnë studimet me të njëjtin program që kanë filluar, – shkruhet në shkresën e dërguar ndaj Universitetit “Ismail Qemali në Vlorë. – Studimet 4-vjeçare të përfunduara në vitin akademik 2008-2009 janë programe të papërshtatura me standardet e Bolonjës dhe diplomat e tyre njihen si diploma të sistemit të vjetër, pra si diploma universitare 4-vjeçare”.

Sipas letrës, “në bazë të nenit 89, të ligjit të arsimit të lartë, këto diploma janë ekuivalente me “Diplomat e Integruara të Nivelit të Dytë” (DIND). Universiteti ”Ismail Qemali” i Vlorës duhet të pajisë sa më shpejt studentët me diploma në përputhje me përcaktimet e mësipërme të ligjit të arsimit të lartë”.

Të diplomuarit e sistemit katërvjeçar të Drejtësisë në Universitetin e Vlorës prej katër ditësh kanë hyrë në një grevë urie, duke kërkuar që diploma e tyre të quhet Diplomë e Integruar e Nivelit të Dytë.

Edhe pas thirrjeve të vazhdueshme drejtuar Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, rektori i këtij universiteti, dr. Tanush Shaska, nuk ka pranuar kërkesat e studentëve.

“Unë nuk e shoh këtë si problem. Ish-studentët e Juridikut morën një diplomë 4-vjeçare, sepse kryen një kurs studimesh 4-vjeçar. A konsiderohet kjo diplomë si diplomë e integruar, diplomë e nivelit të parë apo të dytë, ky nuk është shqetësimi ynë”, – kishte deklaruar rektori Shaska.

Studentët deklarojnë: “Diploma jonë është një copë kartoni dhe nuk ka në vetvete as nivel, as titull, por citon "Diploma 4-vjeçare në Drejtësi". Fakti tjetër negativ qëndron në atë se nuk njihen nga tregu i punës, sepse nuk është dhënë në përputhje me formatet e miratuara nga MASH për diplomat”.

Përplasjet mes Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë kanë qenë të vazhdueshme. Rasti i parë i përplasjes ishte tentativa e rektorit Shaska për të hequr nga emërtimi i universitetit emrin e Ismail Qemalit. Ndërkohë, gjatë këtij viti ky universitet nuk pranoi të regjistronte kandidatët fitues me mesatare nën 6, edhe pse ligji parashikon ndryshe dhe Ministria e Arsimit dha urdhër të prerë për regjistrimin e tyre.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›