E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH përgatit suplementin e diplomës, të hënën u dërgohet universiteteve

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë gati udhëzimin e ri për diplomat e Kartës së Bolonjës dhe pritet që të hënën, tua dërgojë universiteteve. Zv/ministrja e Arsimit dhe Shkjencës, Adriana Gjonaj, tha, se udhëzimi i ri për diplomat ka një përmirësim nga ai i mëparshmi, në kuptimin e shmangies së disa elementeve të cilët mund të mos ishin të domosdoshme. Por ne po respektojmë gjithmonë të drejtën e universiteteve që në një hapësirë të caktuar, ata të zgjedhin formën e diplomës, hapësirë që ka ekzistuar edhe në udhëzimin e mëparshëm. Adriana Gjonaj tha se në fillim të javës që vjen, do të çojmë në universitete suplementin e ri të diplomës, që është një dokument, pjesë e procesit të Bolonjës, ku studenti bashkë me diplomën merr edhe një suplement, ku përshkruhen të gjitha njohuritë që ka marrë në shkollë. Ky saktësim i formatit të diplomës u konsiderua nga Gjonaj si  i dobishëm dhe efikas, për punëdhënësin, sepse kuptohen qartë njohuritë e punëmarrësit. Ajo konfirmoi se MASH ka lehtësuar udhëzimin nga ato pak elementë që u kërkuan nga studentët. Gjithsesi, senatet e universiteteve, në përputhje me udhëzimin e MASH, kanë mundësinë të zgjedhin diplomat e tyre, duke ruajtur gjithmonë standardet shtetërore bazë që duhet të ketë çdo diplomë, theksoi Gjonaj, duke shtuar se gjithsesi, me gjithë këtë ndryshim diplomat e Shqipërisë do të mbajnë të njëjtin standard si të gjitha vendet e BE-së.

Email This Klikime: 3

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›