E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregtimi i barnave, subjektet do të deklarojnë përmbushjen e kërkesave ligjore

Për fillimin e biznesit të tregtimit të barnave me shumicë, farmaci, agjenci farmaceutike, firmat e import-eksportit të tyre, gjithë personat, apo subjektet e interesuar do të vetëdeklarojnë se përmbushin kërkesat ligjore. Qeveria miratoi formularët model të vetëdeklarimit për të gjithë personat e subjektet private, vendas a të huaj qofshin, të cilët kërkojnë të pajisen me licencë për këtë aktivitet nga Ministria e Shëndetësisë. Në këto formular subjekti i interesuar duhet të deklarojë se përmbush të gjitha kërkesat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi, ndërsa Drejtoria e Shëndetit Publik Rajonal bën verifikimin e subjektit brenda 20 ditëve. Formularët e vetëdeklarimit u përgatitën në zbatim të ligjit, Për barnat dhe shërbimin farmaceutik me disa ndryshime të pjesshme të të fundit që janë bërë në të. Sipas ministrisë së Shëndetësisë, ndryshimet në ligjin për farmacinë u ndërmorën me qëllim liberalizimin e tregut në heqjen e monopoleve si dhe rritjen e sigurisë dhe të cilësisë të barnave, që tregtohen në vend. Formularët parashikojnë kriteret që duhet të plotësojnë personat fizikë dhe juridikë që kërkojnë të ushtrojnë këto veprimtari të tregtimit të barnave. Duke u bazuar në formularët e vetëdeklarimit, subjektet e ndryshme private do të deklarojnë vërtetësinë nën  përgjegjësinë e tyre, në përputhje me legjislacionin, si dhe gentplanin, planimetrinë  dhe mandatin e pagesës, pa efekte financiare. Edhe vetë farmacistët e kanë përshëndetur këtë vendim të qeverisë, duke konsideruar se kështu do të lehtësohet puna dhe shmangen e burokratizmave e vëna re deri më sot për tregtimin e barnave. "Çdo kush duhet të mbajë përgjegjësi për atë që deklaron", pohojnë farmacistët. Nga ana tjetër, farmacia lejohet të ushtrojë veprimtari vetëm në prani të drejtuesit teknik ose të farmacistit të punësuar, të cilët duhet të regjistrohen pranë DSHP-ve përkatëse, një pikë kjo që është  përshëndetur  nga farmacistët. Meqenëse se në zonat rurale ku nuk ka farmaci, Ministria e Shëndetësisë propozon hapjen e Agjencive Farmaceutike, me drejtues teknik ndihmësfarmacist, mbi bazën e vetëdeklarimit të tij për plotësimin e  kritereve të kërkuara nga ligji. Shërbimi i hapur e i konsoliduar farmaceutik në vend,  tashmë është privat. Por ky shërbim monitorohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qendra Kombëtare të Kontrollit të Barnave. Sipas të dhënave, në vendin tonë operojnë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre  rreth 80 depo dhe 900 farmaci e agjenci farmaceutike të ndryshme.

Email This Klikime: 3

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›