MBUMK: Sistemet e kullimit në zonat e rrezikuara nga përmbytjet janë nën kontroll

Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, njoftoi sot se po mban nën kontroll sistemet e ujitjes dhe të kullimit në zonat që rrezikohen nga përmbytjet nga shirat e ditëve të fundit. Rexhep Shahu, zëdhënës në MBUMK, tha për ATSH-në, se deri në orën 12:00 të së enjtes, "reshjet e dëndura të shiut, që ranë gjatë natës dhe paraditen e sotme, nuk kanë shkaktuar situata përmbytjesh, në asnjë nga zonat e rrezikuara dhe tokat bujqësore". Sipas tij, efektiviteti i punimeve në thellimin e shtratit të lumenjve, dhe kanalet e ndryshme kullues, që janë realizuar gjatë këtyre dy viteve të fundit, nuk kanë lejuar që reshjet e dëndura të krijojnë probleme. Duke iu referuar të dhënave të fundit nga grupet e specialistëve që po inspektojnë situatën e përmbytjeve në terren Shahu tha se, deri tani hidrovoret në rrethet Lezhë, Laç e Fushë Krujë po punojnë me kapacitet të plotë dhe situata është në kontroll të plotë, ndërkohë që po mbikqyret puna e kanaleve kulluese dhe kolektorëve në të gjithe territorin e vendit....