E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytje, lumi i Gjanicës përmbyt rreth 200 shtëpi

Mbi 200 banesa në qytetin e Fierit janë përmbytur si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Gjanica. Reshjet e shumta të 24 orëve të fundit kanë bërë që të dalë nga shtrati i tij, lumi që përshkon mes për mes Fierin. Siç njofton korrespondenti ynë në këtë qytet, shtëpitë që ndodhen përgjatë shtratit të tij në lagjet “Liri” dhe “Sheq i vogël”, janë përmbytur duke pësuar dëme të konsiderueshme në orenditë shtëpiake. Ato kanë mbetur të izoluara dhe pa mundësi komunikimi gjatë gjithë natës deri në mëngjes.
Banorët veç shkëputjes me pjesën tjetër të qytetit kanë vuajtur edhe panikun se, prurjet e lumit mund të shtoheshin duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Në prefekturën e Fierit është ngritur shtabi i emergjencës për të përballuar situatën e rënduar nga përmbytja.
Prefekti shprehet se, është ndërhyrë për tu ardhur në ndihme banorëve të rrezikuar, ndërkohë që vetë ata thonë se, askush nuk marrë masa për tu ardhur në ndihmë. Shtëpitë e dëmtuara ndodhen në të dy anët e lumit dhe janë ndërtuar pas viteve ’90.
Si pasojë e përmbytjes nga lumi Gjanica, kanë mbetur të izoluar për disa orë në tarracat e shtëpive një çift të moshuarish dhe një fëmijë 13 vjeç. Për nxjerrjen e tyre kanë marrë pjesë shume forca të ndërhyrjes së shpejtë, dy fadroma dhe një gomone. Pas disa orësh përpjekje, policia mundi ti nxjerrë të tre personat e bllokuar nga situata ku ndodheshin.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›