E Shtunë, 31 Tetor 2026

METE: Aksidenti, galeria ishte e mbyllur

27/01/2009  Miniera e Bulqizës

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka reaguar në lidhje me aksidentin e ndodhur dy ditë më parë në minierën e Bulqizës duke sqaruar se galeria në të cilën ndodhi ngjarja ka qenë e mbyllur. “Galeria në të cilën ka ndodhur aksidenti ka qenë e mbyllur me shembje dhe meqë ndodhej brenda zonës së rrezikut të Kategorisë së Parë, të caktuar në urdhrin e ministrit 488, 30.6.2008, për të nuk është dhënë dhe nuk parashikohet asnjëherë të jepet leje shfrytëzimi”, - thuhet në njoftim. Sipas burimeve, banorët e zonës janë futur në këtë galeri dhe duke shfrytëzuar pushimin e të dielës kanë hapur një kalim të ngushtë sa për t’u futur barkas dhe kanë punuar për disa orë, derisa njëri prej tyre u aksidentua me pasojë vdekjen. “Kjo galeri, nuk ka lidhje jo vetëm me DARFO-n, por me asnjë leje tjetër shfrytëzimi të dhënë në këtë zonë ashtu si dhjetëra të tjera në këtë zonë të rrezikut, nuk do të jepen asnjëherë me leje shfrytëzimi”, - thanë burimet zyrtare. Reparti i Inspektim Shpëtim Minierave ka qenë prezent që në momentet e para pas aksidentit dhe në bashkëpunim me organet e rendit dhe të Prokurorisë, ka përcaktuar rrethanat e aksidentit. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës do të vijojë bashkëpunimin me organet e rendit dhe Prokurorinë, në mënyrë që aksidente të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›