E Shtunë, 31 Tetor 2026

METE: Akuzat në Prokurori

21/12/2011  Reagon ministria pas pyetjeve të PS-së: Pse nuk firmosën deputetët e zonës, Abazi dhe Minxhozi?

Ministria e Ekonomisë e gatshme për Komision Hetimor në lidhje me minierat e Bulqizës

Ministria e Ekonomisë është përgjigjur dje zyrtarisht për pyetjet që 8 deputetë të opozitës i drejtuan pak ditë më parë ministrit Nasip Naco. lidhur me gjendjen në minierat e Bulqizës. Në reagimin e saj METE shprehet se çdo pyetje do të marrë përgjigjen e duhur, ndërsa u kërkon deputetëve të PS-së që për çdo akuzë apo dijeni për afera të drejtohen në prokurori. “METE shpreh habinë se si një grup ligjvënësish të rinj shqiptarë janë në dijeni se grupe mafioze të veshura me pushtet kontrollojnë minierat, dhe nuk i denoncojnë ata në Prokurori, por bëjnë politikë me jetët e minatorëve dhe me familjet e tyre”, - theksohet në reagimin e METE-s.

Reagimi

Në këtë komunikim zyrtar, METE shpreh habinë dhe i kërkon deputetëve socialistë arsyen pse në letrën e dërguar pranë zyrave të saj, mungonin emrat e deputetëve të zonës së Bulqizës. “METE shpreh shqetësimin e saj, se miniera e Bulqizës, minatorët, si dhe gjendja në atë sektor, janë duke u përdorur keqazi nga forca të caktuara politike, që nga ana e tyre përdorin për firma deputetësh të ardhur në Parlament në vitin 2009, madje edhe më vonë, dhe duan të harrojnë të kaluarën socialiste. Nuk është e rastit që në pyetjet e drejtuara, asnjë prej firmëtarëve, nuk ka qenë deputet nga viti 2000-2005, kur edhe janë dhënë rreth 54 për qind e lejeve minerare. Për METE, është e çuditshme që për një problem kaq serioz siç është situata në minierën e Bulqizës, Partia Socialiste nuk ka futur mes firmëtarëve edhe dy deputetët e qarkut të Peshkopisë ku përfshihet edhe Bulqiza, Sadri Abazi dhe Qemal Minxhozi”, - theksohet në reagim. Për këtë METE do të bashkëpunojë në ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për minierat e Bulqizës, apo për një interpelancë parlamentare, nga deputetët e rinj të PS-së.

Situata

METE shprehet se lidhur me minatorët dhe familjet e tyre, prej më se një viti, ky dikaster është radhitur në krah të shqetësimeve të tyre. “Vendimet për pezullim, apo edhe heqje licencash shfrytëzimi janë ndërmarrë nga ky institucion dhe jo vetëm një herë, pa pasur nevojë për pyetje të parapërgatitura dhe të qëllimta politike. METE i siguron deputetët se ata dhe publiku shqiptar, do të marrin përgjigje të plotë dhe të saktë për çdo shqetësim dhe pyetje, duke kërkuar njëkohësisht prej tyre të marrin informacionin e nevojshëm edhe brenda forcës së tyre politike lidhur me marrëveshjet konçensionare të nënshkruara dhjetë vjet më parë”, - thekson reagimi zyrtar. METE premton se do ti thotë stop çdo lloj abuzimi politik dhe profesional në kurriz të minatorëve shqiptarë. Deputetët e PS-së mes të cilëve Sajmir Tahiri, Eduard Shalsi, Anduel Xhindi, Besnik Baraj, Artan Gaci e Blendi Klosi kërkuan shpjegime për vdekjen e minatorëve në minierat e Bulqizës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›