E Shtunë, 31 Tetor 2026

METE, tjetër Task Forcë për të kontrolluar galeritë e kromit

Strategjia Ministria e Ekonomisë dhe Tregtisë monitoron minierat e Bulqizës

Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, gjatë këtyre ditëve, në një deklarim për mediat “çuditërisht” ka konfirmuar ngritjen e një Task Force të re, nën drejtimin e prefektit të Dibrës, Xhafer Seiti, për të ndaluar shfrytëzimin pirat të kromit, në kompleksin minerar të Bulqizës. Një e tillë Task Forcë ishte ngritur po me urdhër të Ministrisë së Ekonomisë vetëm para gati dy muajve dhe saktësisht më 15.03.2010. Askush nuk jep informacion rreth arsyeve për ngritjen e grupit të ri të kontrollit dhe çfarë nuk shkoi me “të vjetrin” që mori përsipër ndalimin e punës së jashtëligjshme në nxjerrjen e mineralit të kromit nga galeritë e braktisura të zonës krommbajtëse të Bulqizës. Gjatë javëve dhe muajve të fundit, por edhe në vazhdimësi kemi pasur në Bulqizë një situatë problematike për sa i takon aktivitetit minerar. Kështu, veçanërisht pjesa jugore e minierës, thënë ndryshe Zona D, e përcaktuar si një zonë me rrezikshmëri të lartë, rezulton të jetë e përfshirë në disa raste nga aktivitete të firmave private të shfrytëzimit të jashtëligjshëm të kromit, apo përfshirjes në punë të personave nën moshën e lejuar. Task Forca e parë, nëse nuk arriti asnjë rezultat në ndalimin e punës së jashtëligjshme, konfirmoi përplasjen mes strukturave vendore dhe atyre qendrore, që akuzojnë reciprokisht njëra-tjetrën për përcaktimin e subjekteve të palicencuara. Kështu, sipas strukturave qeverisëse vendore, thuhet se është Ministria e Ekonomisë ajo që duhet të përcaktojë subjektet e paligjshme, pasi është ky dikaster që ka dhënë dhe jep lejet minerare për shfrytëzimin e galerive. Më e prekur nga puna e jashtëligjshme në Zonën D të minierës, mbetet firma koncesionare austriake “Albanian Chrome ACR”, që aktualisht shfrytëzon këtë minierë. “Të paktën 6 firma private të licencuara nga METE në Zonën D shfrytëzojnë galeritë e tyre nëpërmjet territorit të firmës koncesionare, pasi janë të pamundura për të hapur galeri për shfrytëzimin e trupit minerar, për të cilin disponojnë edhe lejen e shfrytëzimit”, thotë Dilaver Përkoxha, kryetar i Sindikatës së Minatorëve. Ndodhur përpara kësaj situate, firmat e licencuara nga METE filluan menjëherë punën në këto galeri, duke i kërkuar kompanisë koncesionare “Albanian Chrome ACR” leje kalimi nëpër galeritë dhe territorin e saj, si dhe duke shfrytëzuar mjete të saj si shina, vagonë etj., për nxjerrjen e mineralit nga galeritë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›