E Shtunë, 31 Tetor 2026

MISIONI I NJE FITOREJE

Rezultatet elektorale nuk janë të rëndësishme
vetëm për faktin se kujt i besohet
qeverisja e vendit, por edhe për impaktin
pozitiv ose negativ që ato krijojnë brenda
vetë forcave apo koalicioneve politike. Ka momente
historike, ku fitorja është në vetvete edhe mision
ndaj forcës dhe spektrit politik që përfaqëson.
Disa nga partitë e spektrit të majtë në disa nga
vendet europiane vazhdojnë të qëndrojnë gjatë
në opozitë, e kjo jo për mungesë vizioni, jo për mungesë
personalitetesh, jo për mungesë të mbështetjes
publike, por kryesisht për mungesën e kohezionit
e të rivalitetit pa kompromis midis personaliteteve
të tyre.
Bazuar në këto eksperienca jo pozitive të së majtës
moderne në disa vende europiane, domosdoshmëria
e fitores së të majtës shqiptare duhet parë si
mision për ta shpëtuar nga ky virus.
Dobësimi i së majtës moderne ka favorizuar fuqizimin
e ekstremeve nga të dyja kampet e kundërta
të politikës, por i kanë bërë më abuzuese
mazhorancat e djathta qeverisëse.
Parë edhe në këtë këndvështrim, domosdoshmëria
e fitores së Partisë Socialiste dhe e së majtës
shqiptare duhet parë edhe si një mision. Partia Socialiste,
e majta shqiptare, votuesit jo partiakë shqiptarë,
duhet ta konsiderojnë fitoren e 2009-ës si
një domosdoshmëri për përmirësimin e funksionimit
të demokracisë shqiptare. Njëkohësisht, fitorja
është mundësia më e mirë për ta modernizuar shoqërinë,
politikën dhe vetë të majtën shqiptare, domosdoshmëri
që mbetet një sfidë e përhershme.
Gjatë katër viteve të fundit, funksionimi i
demokracisë shqiptare minimalisht nuk është
përmirësuar, institucionet shqiptare janë të brishta
përballë presioneve politike dhe influencave korruptive.
Administrata publike është bërë më militante
dhe më pak profesionale, biznesi ndjen abuzimin
politik në rritje, cilësia e arsimit dhe e shëndetësisë
është cenuar ndjeshëm nga paqëndrueshmëria
dhe kualiteti i ulët i mësuesve e mjekëve, që
përbëjnë substancën e këtyre sektorëve qendërsorë
për shoqërinë.
Pa një konkurrencë politike efikase, çdo
mazhorancë rrezikohet të shkasë në mënyrë graduale
në një shumësi abuzuese dhe arrogante, jo efektive
e gradualisht të dëmshme për të ardhmen e
vendit të vet.
Pas zgjedhjeve të vitit 2005, kur blloku i majtë me
rreth 150 mijë vota më shumë humbi mazhorancën
qeverisëse, e majta shqiptare nuk ka arritur akoma
të tejkalojë disa nga problemet e mbartura në kohë.
Mjaft është zhgënjyer elektorati i majtë në zgjedhjet
vendore 2007 nga humbja e një numri të konsiderueshëm
të komunave, bashkive dhe qarqeve,
jo si pasojë e mungesës së mbështetjes publike, por
sepse votat mazhoritare u copëzuan në shumë parti
të spektrit të majtë.
Këto janë dy raste konkrete, ku mbështetësit e
së majtës kanë të drejtën të ndjehen të zhgënjyer. Jo
pak zhgënjim kanë sjellë edhe grindjet publike midis
forcave politike të dioptrisë së majtë. Në politikë,
zhgënjimi konvertohet në zbehje të militantizmit,
mpakje të vullnetit e përkushtimit deri në mospjesëmarrje
aktive në fushatat e ardhshme politike.
Ndoshta kërkohen më shumë referenca konkrete
nga eksperiencat e vendeve europiane, por në
përgjithësi fitoret e të majtëve kërkojnë një nivel sa
më të lartë të mundur të pjesëmarrjes në votime.
Angazhimi për fitoren e së majtës në zgjedhjet e
28 qershorit duhet të ketë si prioritet edhe detyrimin
e misionit që e majta shqiptare të shpëtohet nga
risku i krizave të përsëritura.
Fitoret elektorale janë një mundësi shumë e mirë
për të përmirësuar funksionimin politik dhe efikasitetin
e forcave politike. Modernizimi evolutiv i
forcave politike do të jetë një proces i përhershëm, i
cili ndjek nga afër edhe tendencat e modernizimit
të shoqërisë dhe politikës shqiptare në tërësinë e
tyre.
Në këtë kushtëzim të ndërthurur janë forcat politike
që përshpejtojnë proceset modernizuese të
vendit të tyre dhe njëkohësisht janë shoqëritë moderne
ato që e ndihmojnë dhe kushtëzojnë politikën
që të jetë përherë një mision fisnik.
Disfatat elektorale në përgjithësi stimulojnë dhe
krijojnë grindjet e brendshme, të cilat i bëjnë ato të
përhershme dhe të vështira për t‘u menaxhuar, jo
vetëm për pasojat që krijojnë në elektorat.
Humbjet elektorale nuk mund të jenë momenti
oportun për të reformuar dhe modernizuar forcat
politike. Shpesh, jo veç në Shqipëri dhe jo vetëm për
të majtën, ato kanë nxitur kriza afatgjata. Ky cikël
negativ në zhvillimet politike edhe në të majtën shqiptare,
me proaktivitet duhet parandaluar e ngrirë
me çdo kusht, por mbi të gjitha me kushtin e detyrimit
ndaj mbështetësve dhe ndaj vendit tënd.
Angazhimi për fitoren e socialistëve dhe të majtëve
në këto zgjedhje përbën edhe një mision të
lartë: "Që e majta shqiptare të vazhdojë të jetë një
forcë progresiste për Shqipërinë drejt së ardhmes
europiane...".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›