E Shtunë, 31 Tetor 2026

ZGJEDHJE TE LIRA SI PARA 1200 VJETESH

Ne jetojmë në Ballkan. Europa
nganjëherë e njeh këtë realitet
tonin dhe herë të tjera
jo. Varet, si t‘i vijë asaj për shtat…
Këtu e kemi fjalën për njerëzit që e
drejtojnë atë. Herë na quan qytetarë të
ndershëm të një civilizimi të vjetër dhe
herë të tjera na quan si kushërinj të
varfër që kanë nevojë të bezdisshme për
ndihmë. Këtu, në këtë mesele, e kemi
vetë fajin kryesor ne. Që nga koha e princ
Wied-it nuk kemi reshtur së eksperimentuari
një lloj shteti që ende ishte në
mendjet tona, duke pasur parasysh
stërgjyshërit tanë që nuk kishin dhe aq
nevojë për deputetë për të zgjidhur hallet
e tyre të mëdha.
Shumë kohë ka kaluar që atëherë,
shumë ujë ka rrjedhur ndër lumenjtë e
gërxheve tona pa fund, shumë mendje
kanë ndryshuar që asokohe dhe ja ku
jemi tani, përballë një sfide të madhe: të
zgjedhim njerëzit që do të na drejtojnë
në katër vitet e ardhshme, që në fakt do
të jenë si sfinksat tanë gjysmësundues e
gjysmëshërbëtorë. Goxha hall i madh për
një popull që ka brohoritur njësoj si lirinë,
ashtu edhe diktaturën.
Me thënë të vërtetën është një goxha
sfidë. A do jemi ne sërish ata njerëzit e ‘97-
ës që ngrinim kallashët dhe kërcënonim
Perëndinë, apo do të jemi delet e urta
anëtarë të NATO-s?
Deri dje në orët e para të mëngjesit,
dukej sikur gjithçka shkonte në rregull,
porse ne të shtypit kishim harruar një
gjë të vogël. Kjo "diçka" në të njëjtën
kohë është njëherazi edhe shumë e
rëndësishme edhe pa rëndësi fare. Varet
si ta shohësh. Dje pamë që palët u zunë
për një piedestal. Të dhëna kishim edhe
më parë se jo çdo gjë shkonte në rregull
përballë paqes së rreme që shihnim
ndër ekranet tona. Gurë që u lëshoheshin
makinave të opozitës, sharje që
nuk na i donte veshi t‘i dëgjonim dhe
shprehje që nuk na e lë etika t‘i hedhim
në letër na e kishin mbushur shpirtin me
mosbesim dhe zemrën me zhgënjim sa
kohë që të gjitha palët përbetoheshin se
janë "për zgjedhje të lira dhe të ndershme".
Por në këtë vendin tonë të dashur
dëshirat dhe realiteti janë dy gjëra fort
të ndryshme e të largëta, sidomos kur
gara - dhe jo lufta sikurse deklarojnë sot
e gjithë ditën disa VIP-a ithtarë të rinj të
demokracisë - e kthen fqinjin, shokun,
kushëririn, nga një njeri me të cilin ndan
fatet e tua, ndonëse mendon ndryshe,
në një armik të vërtetë.
Demokracia nuk duhej të njihte
armiq. Ajo njeh vetëm rivalë. Demokracia
është e të gjithëve, pavarësisht se
kush është në pushtet. Demokracia nuk
ka njerëz për të vrarë. Ajo mendon si e si
t‘i shpëtojë ata nga varfëria, nga injoranca
dhe nga fati i murrëtyer. Në shekullin
XXI në Shqipërinë tonë kjo ende nuk ka
ndodhur. Si kurdoherë jemi sërish me
vonesë. Përkundrazi, njerëzit kanë skërmitur
dhëmbët njësoj sikur përballë të
kishin jo djallin, por edhe atë që e ka
bërë atë. Jo vetëm posterat e shkulur, jo
vetëm shikimet e vëngërta, duart e
stërmëdha kërcënuese, inatet e reja dhe
ato të trashëguara, por edhe grisja e
imazhit të tjetrit, që është njësoj sikur
kundërshtarin ta kesh përballë dhe
pastaj "t‘ia çjerrësh maskën", na kujtoi
një histori ballkanike të njohur ndër libra,
por pak herë të përmendur. Kjo histori
do të na lejojë të kuptojmë se sa kemi
ndryshuar realisht në krahasim me të
parët tanë të qëmotit.
Afër 1400 vjet më parë ne bënim pjesë,
me dashje apo padashje, në Perandorinë
Bizantine. Asokohe, sipas dëshmisë së dy
murgjve, Niqiforit dhe Teofanit, një marrëzi
e madhe e kllapoi Konstantinopojën,
kryeqendrën e botës: lufta për ikonat.
Pra jo për njerëzit, jo për idetë e tyre, jo
për atë çka ata përfaqësonin, por për simbolet
e tyre, për këtë u vranë me mijëra
njerëz. Askush nuk i hyri punës së thjeshtë
të të kuptuarit të alternativës së tjetrit.
Ato pak zëra paqësorë që u dëgjuan u
shpallën menjëherë si armiq. Thjesht ai
që ishte kundër mendimit tënd duhej
asgjësuar. Jo thjesht vetë kundërshtari,
ky po se po, por edhe ikona që ai mbronte
dhe ku ndjehej i përfaqësuar përfaqësonte
gjënë që duhej asgjësuar. Kjo luftë
vazhdoi jo pak, por 132 vjet. Ishte fillimi i
fundit i një perandorie, më shumë se kaq
të një qytetërimi, që i kishte rrënjët thellë
në lashtësi. Militantët e çmeritur shkulën
ikonat e njëri-tjetrit, shenjtorë të veneruar
u bën një hiç, vepra arti të mrekullueshme
u kthyen në hi. Dhe pastaj jeta
nisi nga fillimi. Por fundi kishte nisur.
Krahasimi që bëmë mbase nuk mund
të quhet fort i goditur, mbase me të drejtë.
Tani kemi kompjutera, dimë të flasim anglisht,
kemi celularë dhe bota është bërë
më e vogël falë internetit. Porse, sa kohë
që i shkulim njëri-tjetrit "ikonat" tona, që
janë posterat, podiumet, banderolat e me
radhë, sa kohë që nuk i lemë ajër dhe
hapësirë kundërshtarit të flasë, të shpalosë
idetë e tij dhe më pas të hyjë në garë,
kemi treguar se në fakt, duke mos e ditur
sigurisht, jemi po ato turma primitive, që
njësoj si në vitet 711-843 gjakosën njëritjetrin
pa e ditur se ç‘po bënin. Këto rreshta
po shkruhen ndërsa të ndërsyerit e partive
po shajnë nga nëna njëri-tjetrin. A
kemi ndryshuar vallë në një mijëvjeçar e
gjysmë? Sigurisht që për së jashtmi po! Por,
dhe kjo është me provë, sigurisht që për
së brendshmi jo! Ndryshimi i madh ndër
mendjet tona ende nuk ka ndodhur.
Tani, vetëm një ditë para zgjedhjeve,
nuk ka më edhe aq shumë rëndësi se
kush do të fitojë. Rëndësi ka që u morëm
ende me ikonat e njëri-tjetrit. Dhe kjo na
ka çuar me mijëra vjet pas. Goxha arritje
në mijëvjeçarin e tretë. Na lumtë! Si kaherë…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›