MJ, shifrat e deklaruara nga PS janë falsifikime dhe të pavërteta
>Ministria e Jashtme përgënjeshtroi sot deklaratën e deputetit të PS, Taulant Balla, për korrupsion në konsullata. Zyra e shtypit pranë MPJ-së bëri të ditur se shifrat e deklaruara sot nga Partia Socialiste janë falsifikime dhe të pavërteta. Të ardhurat konsullore për vitin 2005 nuk janë 4 milionë e 50 mijë euro siç deklaron Partia Socialiste, por 2 milionë e 197 mijë euro.
Ky është një shembull për të kuptuar deformimin flagrant të shifrave, thuhet në njoftimin për shtyp të kësaj ministrie. Ministria e Punëve të Jashtme deklaron se "ndryshimi i të ardhurave nga konsullata jonë në Athinë mes viteve 2007-2006, vjen si rezultat i kalimit më 15 qershor 2007 të procedurave nga shërbimi konsullor shqiptar në Greqi, në shërbimin konsullor grek në Shqipëri, një fakt ky i njohur botërisht nga opinioni publik. Në kuadër të rritjes së transparencës dhe shmangies së abuzivizmit, me urdhrin e Ministrit të Punëve të Jashtme të datës 9 janar të këtij viti, të gjitha shërbimet konsullore do të kryhen vetëm përmes postës, me përjashtim të rasteve kur aktet normative në fuqi kërkojnë paraqitjen e vetë personit pranë autoriteteve të shërbimit të jashtëm", bëhet e ditur në këtë njoftim. Gjithashtu, menjëherë pas denoncimeve të disa rasteve në media, Ministria e Punëve të Jashtme ka nisur grupet e kontrollit dhe të auditimit në përfaqësitë tona jashtë. "Personat që rezultojnë përgjegjës për shkelje apo abuzime janë vënë dhe do të vihen para përgjegjësisë administrative dhe ligjore, dhe kjo sepse Ministria e Punëve të Jashtme mbetet thellësisht e përkushtuar për të përmirësuar shërbimin tonë konsullor ndaj shtetasve tanë që jetojnë jashtë vendit, dhe për të mos toleruar praktikat jo transparente dhe abuzive, thuhet në njoftimin për shtyp të MPJ-së.