E Diel, 1 Nëntor 2026

PS i kërkon prokurorisë të hetojë korrupsionin në konsullatën shqiptare në Athinë

>Balla: Fakte të reja për  korrupsionin në konsullata
Deputeti i PS, Taulant Balla, doli sot në një konferencë ku tha se, kishte fakte të reja në lidhje me korrupsionin në konsullatat shqiptare. Më tej ai tha se, Në vijim të fakteve të bëra tashmë publike mbi korrupsionin kriminal nga përfaqësitë konsullore shqiptare në Milano, Bari, Romë, Athinë, Selanik, Janinë, të cilat janë kthyer në një strukturë zhvatjeje dhe falsifikimi, tha Balla. Po paraqes sot disa prova të reja që nxjerrin në pah vjedhjet prej disa milionë eurosh të sekserëve dhe njerëzve të emëruar nga Lulzim Basha. Po i referohem dokumentacionit zyrtar të raportuar nga Konsullata jonë në Athinë, për të ardhurat e përgjithshme në katër vitet e fundit, për vitin 2005, Konsullata jonë në Athinë ka raportuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme 4 milionë e 50 mijë euro. Për vitin 2006, po kjo Konsullatë ka raportuar 2.590.000 euro, tha ai. Sipas Taulant Ballës, vetëm në vitin e parë, kur në këtë Konsullatë u vendosën familjarët dhe militantët e Partisë Demokratike, në llogaritë e Konsullatës shqiptare në Athinë u zhdukën rreth 1.5 milionë Euro. Për vitin 2007, Konsullata në Athinë për gjashtë mujorin e parë ka raportuar 800 mijë euro, në fund të vitit 1 milion euro. Edhe sikur të pretendohet se janë hequr një pjesë e legalizimeve në pjesën e dytë të vitit 2007, përsëri në llogarinë e kësaj Konsullate mungojnë të paktën 1 milionë Euro. Për vitin 2008, Konsullata ka raportuar vetëm 851.000 Euro. Pra, nga 4 milionë Euro në vitin 2005, në vitin 2008 mungojnë 3.2 milionë Euro. Nuk ka asnjë dyshim se të gjitha këto para që shkon në disa milionë Euro, janë përvetësuar nga kjo strukturë ekonomiko-kriminale. Emigrantët shqiptarë në Athinë dhe në gjithë Greqinë, nuk janë pakësuar nga 2005 deri në 2008-n, as nevojat e tyre për shërbime konsullore nga ambasada e shtetit mëmë nuk kanë ndryshuar, deklaroi gjatë konferencës, ai. Është papërgjegjshmëri, vetëpërfshirje dhe mbrojtje e hapur e këtij korrupsion masiv, por edhe shpërdorim detyre nga Lulzim Basha, i cili në vend që të pezullojë nga detyra të gjithë personat e përfshirë në këto akte të turpshme zhvatjeje dhe falsifikimi, kërkon kasetat nga televizioni. Për sa më sipër, unë sot i bëj thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të fillojë menjëherë hetimet mbi këto akte korrupsioni dhe shpërdorimi detyre nga shërbimi konsullor i Shqipërisë dhe Ministri i Jashtëm Lulzim Basha, përfundoi deputeti i PS-së, Taulant Balla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›