E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, skema 6 orëshe e protestës

 

Aristir Lumezi

Kreu socialist Edi Rama mblodhi dje aleatët e tij për të konsultuar me ta skemën e protestës të së dielës. Ndryshe nga çdo protestë e zhvilluar deri më sot, kjo e fundit për 26 viktimat e Gërdecit do të ketë disa elementë, të cilët do të shtrihen në kohë dhe në vende.  E diela e 15 marsit do të jetë një ditë e gjatë me aktivitete. Në qendër të tyre do të jetë ceremonia përkujtimore për ata që humbën jetën në shpërthimin që bëri xhiron e botës përmes mediave, por dhe një rast sensibilizues për t’i treguar shqiptarëve, pa flamuj partiakë, përgjegjësit e vërtetë të kësaj tragjedie.
Protesta  
Edi Rama në takimin e djeshëm me aleatët partiakë dhe me shoqatat që protestojnë kundër tragjedisë së Gërdecit, ka kërkuar prej tyre edhe një aprovim të skemës, jo shumë të detajuar, që do të zbatohet ditën e diel në një itinerar prej 6 orësh të të gjithë aktivitetit, ndërkohë që pjesëmarrësit kanë hedhur idetë e tyre rreth tij. Mësohet se është ngritur një grup pune që drejtohet nga drejtuesi i Vullnetarëve të Bashkimit të Ri për Ndryshim, Sajmir Tahiri, i cili do të punojë për detajet e këtij aktiviteti. Rama ka qenë i vendosur që në këtë protestë të mos shfaqet asnjë flamur partiak, por vetëm flamuj kombëtarë, duke “i dhënë dimensionin kombëtar këtij aktiviteti dhe rrezikut kombëtar, sipas tij, që i vjen vendit nga kjo qeveri”. Aktivitet në njëvjetorin e tragjedisë, që për opozitën ka të bëjë me krimin e korrupsionit që ka prekur qeverinë, ndërsa për maxhorancën një pakujdesi teknike, do të nisin në vendin ku u zhvillua tragjedia. Krerët e partive, por dhe mbështetës të tyre do të mblidhen në kraterin e shpërthimit të Gërdecit, atje ku humbën jetën 26 vetë dhe më pas vala goditëse plagosi 300 të tjerë. Në 12:20, orë në të cilën ndodhi dhe shpërthimi i parë i tragjedisë nën tingujt e muzikës funebër që do të interpretohet nga banda frymore, do të mbahet 1 minutë heshtje, ndërsa anëtarë të shoqatës “Gërdeci”, banorë të këtij fshati dhe familjarë të viktimave pritet që të shprehin dhimbjen e tyre, por dhe atë që ata kanë përjetuar në këta 12 muaj pas tragjedisë. Me qindra trëndafila do të hidhen në kraterin gjigant që shkaktoi shpërthimi i fabrikës së çmontimit të municioneve, ndërsa ai do të jetë i rrethuar me flamuj të mëdhenj kombëtarë, për të krijuar në këtë mënyrë dhe një rreth gjigant. Më pas, grumbulli i njerëzve, bashkë me flamurtarë të shumtë do të ecin në këmbë deri në Vorë. Shumë përkrahës dhe pjesëmarrës në këtë protestë, ndërkohë do të jenë grumbulluar në qytezën e Vorës, nga ku do të nisë një tjetër aktivitet. Vullnetarë të PS-së, qytetarë, sportistë, do të nisen në një stafetë vrapimi, ku do të ndërrohen çdo 500 metra për të shkuar deri në sheshin “Skënderbej”. Në këtë shesh do të bëhet grumbullimi i madh i qytetarëve, të cilët do t’i përgjigjen thirrjeve për pjesëmarrje nga partitë dhe shoqatat e ndryshme për të protestuar kundër tragjedisë që i kushtoi vendit jetë njerëzish. Pjesëmarrësit do të nisen nga sheshi “Skënderbej” drejt godinës së Kryeministrisë dhe do të ndalet aty. Në një podium para zyrës së Sali Berishës, përfaqësues të shoqatave, të partive politike, por dhe banorë të Gërdecit dhe Tiranës do të mbajnë fjalime të shkurtra në përkujtim të viktimave dhe duke adresuar gishtin ndaj përgjegjësve të tragjedisë.  

Gjinushi, Veliaj e Milo, aleatët zyrtarë të PS

Mitingu i protestës për tragjedinë e 15 marsit do të jetë i pari që PS-ja organizon me aleatë të rinj, edhe jo partiakë, ndërsa në të mungon aleati i saj i madh, LSI. Vetëm një javë pas tragjedisë së Gërdecit, opozita e bashkuar doli në bulevardin kryesor të Tiranës në një marshim të heshtur dhe qirinj në duar, pa flamuj dhe kërkesa politike. LSI dhe partitë e tjera PDS, PAD iu bashkuan PS-së në këtë marshim, edhe pse ndanin qëndrime të ndryshme në lidhje me Kodin Zgjedhor që ishte në diskutim e sipër. Kësaj radhe, PS-ja është bashkë në një koalicion të ri, bashkë me PSD, PDS, Lëvizjen G99 dhe shoqatat “Gërdeci”, ajo e ish-ushtarakëve në lirim, Sindikata e Minatorëve, Konfederata e Sindikatave dhe Komiteti Kombëtar i Veteranëve. Ishte tragjedia e Gërdecit që i bashkoi simbolikisht një vit më parë të gjitha partitë opozitare, duke dhënë shpresën e një bashkimi të qëndrueshëm, ndërsa në njëvjetorin e kësaj tragjedie, opozita shfaqet krejtësisht në dy pole, ku LSI dhe PSV ‘91 janë të ndara nga pjesa tjetër e partive të majta. Pritet që një ndarje e tillë të përbëjë dhe përcaktimet elektorale të partive të majta, të cilat kanë nisur tashmë punën drejt fushatës zgjedhore. Ndryshe nga një vit më parë, në të majtën shqiptare kemi dhe një shkëputje të re nga gjiri i PS-së, krijimin e PSV ‘91, e cila e çon të majtën edhe më të ndarë në zgjedhje.

Pjesëmarrës në tryezë

Edi Rama, PS
Skënder Gjinushi, PSD
Paskal Milo, PDS
Erion Veliaj, G99
Mehdi Pogaçe, Shoqata e Ushtarakëve në lirim
Fiqiri Xibri, Sindikata e Minatorëve
Rustem Peçi, Komiteti Kombëtar i Veteranëve
Gëzim Gjoni, Shoqata “Gërdeci”
Kolë Nikolla, Konfederata e Sindikatave

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›