E Hënë, 2 Nëntor 2026

MJAFT: “Qeveria gënjeu për arsimin”

18/12/2004  Qeveria nuk ka mbajtur premtim e bërë në Strategjinë e Zhvillimit për t’i dhënë përparësi arsimit në 2005-ën, duke i akorduar 3.7 për qind të GDP–së. Në buxhet është parashikuar me gjithë shtesën në fondin e pagave një rritje prej 3.1 për qind, apo e thënë në vlerë absolute 2.6 miliardë lekë. „Arsimi nuk ka nevojë për shtesa buxhetore, por për strategji të menduar dhe investime afatgjatë, në mënyrë që të marrë veten“, ka deklaruar një prej drejtuesve të lëvizjes Mjaft. Drejtuesit e Lëvizjes kanë kërkuar nga Komisioni i Ekonomisë që të shikohet mundësia për të përmbushur këtë premtim, duke i dhënë përparësi arsimit në shpërndarjen e parave që do të merren nga shitja e Albtelekomit. „Arsimi duhet të marrë një pjesë të konsiderushme të të ardhurave që do të vijnë në buxhet nga shitja e Albtelekomit dhe fondi shtesë duhet të përdoret vetëm për investime dhe jo për paga“, ka qenë kërkesa e „Mjaft“, e cila është pranuar nga Komisioni i Ekonomisë. Kundër buxhetit aktual për arsimin si strukturë, është shprehur dhe nënkryetari i Komisionit të Ekonomisë, Ridvan Bode, i cili e ka quajtur diskriminues buxhetin dhe ka akuzuar qeverinë se ka shpenzuar më shumë për administratën se sa për vetë arsimin. “Ky buxhet ka provuar se ka patur ulje të të ardhurave buxhetore për arsimin dhe qeveria ka abuzuar me shpezimet operative“, është shprehur Bode. Ndërkaq, deputeti Erion Braçe, ka kritikuar iniciativën e qeverisë për të pranuar kërkesën e pedagogëve dhe arsimtarëve për rritje page, në kohën kur nuk ka patur buxhet për t’i rritur ato. „Askush nuk mund të kërkojë të përfitojë nga paratë që vijnë prej taksapaguesve, sepse ato janë para që do të përdoren për investime dhe jo për t’u futur në xhepin e njërit apo tjerit, dhe qeveria ka bërë gabim që ka pranuar këtë presion ose më parë duhet të kishte gjetur paratë nga buxheti i vet“, ka thënë Erion Braçe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›