E Diel, 1 Nëntor 2026

Çelsi ruan kreun e renditjes

19/12/2004  

Nuk di të ndalet së fituari skuadra e Hoze Murinjos. Kundërshtari i radhës ka qenë Noruiç që nuk ka arritur të japi asgjë në fushën e blertë pavarësisht se ndodhet në një pozicion tepër delikat në tabelën e klasifikimit. Nga ana tjetër Çelsi e ka bërë detyrën më së miri, ku lojtarët e zgjedhur prej trajnerit portugez kanë realizuar plot katër gola në portën e miqve modest. Tashmë me fitoren e tretë të arritur në Premier Ligë blutë e Londrës janë shkëputur akoma më shumë nga ndjekësit kryesor si Arsenal, Everton apo Mançester Junajtid. Në këtë mënyrë klubi i milionave vazhdon të ruaj bindshëm kryesimin në kampionatin anglez me 43 pikë, ku ndër të tjera bilanci i kësaj skuadre sa vjen e bëhet përherë e më i frikshëm. Deri më tani djemtë e Murinjos kanë dalë nga kriza e rezultateve të ngushta dhe në 18 ndeshje të zhvilluara kanë shënuar 33 gola duke pësuar vetëm 8 të tillë. Irlandezi Damien Daf ka qenë ai, i cili e ka ngritur siparin e golave për blutë qysh në minutën e 10. Si zakonisht edhe Frenk Lampard nuk mund të rrinte pa shënuar. Në minutën e 34 me ndihmën e Roben ai ka kaluar për herë të dytë në avantazh skuadrën e tij. Anësori holandez Arjen Roben ka rezultuar mjaft i suksesshëm në këtë takim, ku përveç harkimeve të sakta ka shënuar edhe golin e tretë në minutën e 44. Kurse, sulmuesi francez Didier Drogba pas rekuperimit nga dëmtimi i pësuar është rikthyer sërish te goli në minutën e 83 duke vulosur përfundimisht humbjen e Noruiçit.

Djajtë kanë triumfuar në takimin e zhvilluar në “Old Traford” kundër Kristal Palas që këtë sezon ka ardhur në Premier Ligë prej Divizionit të Parë. Sidoqoftë nuk ka qenë aspak e lehtë për djemtë e Ferguson, të cilët janë vënë gjatë gjithë lojës nën presion nga kundërshtarët. Kjo ka qenë humbja e dhjetë për Kristal Palas që vazhdon të mbetet në vendet e fundit të tabelës së klasifikimit me kuotën e vetëm 14 pikëve. Ekzistenca e mëtejshme në Premier Ligë sigurisht ka filluar të vihet në dyshim për këtë skuadër modeste. Ndërsa për Mançester Junajtid ka mjaftuar një poker i vërtetë golash për të fundosur plotësisht shpresat e humbura të Kristal Palas. Me këtë fitore të pastër skuadër e Sir Aleks ka përforcuar më shumë pozitat në vendin e katërt duke u ngjitur në kuotën e 34 pikëve. Tashmë djajtë ndodhen vetëm një pikë diferencë larg topçinjve të Londrës, të cilët do të ndeshen sot në transfertën e vështirë me Portsmuthin. Edhe kësaj radhe ka spikatur Pol Skols me dy golat e shënuar në minutat 22 dhe 49. Vrullit të ish-mesfushorit të përfaqësueses angleze i është bashkangjitur goli i Grenvill për Kristal Palas në minutën e 27. Ndërkaq Alan Smith ka treguar edhe një herë vlerat e tij duke kontribuar me golin e shënuar në minutën e 35. Megjithëse, finlandezi Kolka ka arritur të barazoj rezultatin në të 46-n, nuk kanë kaluar as dy minuta kur Bois realizon një autogol që kalon në avantazh djajtë e kuq. Kaq mjaftoi dhe djemtë e Ferguson nuk janë përmbajtur më, ku përveç reagimit të Skols ka qenë mbrojtësi irlandez Xhon O’Shi që në minutat shtesë i dha goditjen finale miqve.

Është ndalur krejt papritur ecuria e suksesshme në Premier Ligë e skuadrës së Evertonit që me këtë barazim të arritur kundër Blekburnit renditet sërish në vendin e dytë në kuotën e 37 pikëve. Vendasit e drejtuar nga Mark Hjus kanë mbizotëruar gjatë gjithë takimit duke krijuar raste të pastra, por goli për fatin e tyre të keq nuk ka ardhur deri në fërshëllimën e fundit të gjyqtarit. Dirigjentët e Blekburnit ishin Dikov dhe Bothroid, të cilët u munduan të merrnin mbi supe lojën e gjithë skuadrës. Ky ka qenë barazimi i nëntë për Blekburnin që pavarësisht nga ardhja në pankinë e ish-trajnerit të Uellsit ka fituar deri më tani vetëm 15 pikë duke treguar një nivel jo të mirë loje dhe duke rrezikuar gjithmonë e më shumë ekzistencën në Premier Ligë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›