E Hënë, 2 Nëntor 2026

Negociatorët grekë: Kur na thirrën zotërinj, festuam

18/12/2004  Kështu do të deklaronin ndërmjetësuesit e policisë greke, duke shpjeguar se ky fakt i bindi se i kishin thyer pengmarrësit. Kjo, edhe për faktin se, ndërsa fillimisht ishin shumë të vrazhdë dhe u drejtoheshin në vetë të parë, pas shumë orëve "Hasani" ndryshoi qëndrim dhe përdori fjalën zotërinj. Dy nga anëtarët e grupit të ndërmjetësuesve të policisë greke, grup që përbëhej nga katër vetë, kanë zbardhur për gazetën “Ta Nea“, fragmente të bisedës telefonike me “Hasanin“.

Fillimisht të vrazhdë

Negociatorët: Çfarë jeni?

Njazi Resuli: Rusë.

Negociatorët: Rusë apo çeçenë?

Njazi Resuli: Rusë myslimanë.

Negociatorët: Si të quajnë?

Njazi Resuli: Hasan...

Negociatorët: Çfarë do tani?

Njazi Resuli: Një shofer.

Negociatorët: Nuk do para?

Njazi Resuli: Jo! Paratë nuk më interesojnë.

Negociatorët: E ku do të shkosh?

Njazi Resuli: Në Rusi.

Negociatorët: Po përse doni të shkoni në Rusi?

Pas kësaj pyetje, Njazi Resuli e mbylli telefonin, sikundër do të vepronte sa herë që do t'i bëhej pyetja se përse e rrëmbyen autobusin.

(Pas disa bisedash)

Negociatorët: Po tani ç'dëshironi?

Njazi Resuli: Një shofer të na çojë në stacionin e trenit.

Njazi Resuli: Shiko, unë jam i vetëm në këtë botë. Familja më ka vdekur në aksident automobilistik. Nuk kam frikë nga asgjë. Dua një milion euro.

Pak orë më vonë

Negociatorët: Në rregull, po bankat janë në grevë. Ne i kemi lutur, por nuk na japin. Por do ta rregullojmë, ti je kapoja, ti vendos.

Njazi Resuli: Po nuk m’i sollët paratë deri nesër në orën 08.00 të mëngjesit, do të hedh në erë autobusin bashkë me pengjet.

Orë më vonë (me tone të ashpra)

Negociatorët: Hiq dorë. Futi armët në çantë dhe dorëzohu!

Dy orë para dorëzimit

Negociatorët: Ju jeni zotërit e situatës. Pas pak orësh do të jeni në varr ose pranë vëllezërve tuaj me rroba të ngrohta dhe ushqim. Ju vendosni!

Rreth dy orë pas kësaj fjalie, dy pengmarësit mallakstriotë, Njazi Resuli dhe Leonard Murati, janë dorëzuar dhe kanë lënë të lirë 6 pengjet e fundit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›