E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Peng autobusin për furrë buke“

18/12/2004  Endrra me syhapur shikonin dy të rinjtë shqiptarë, ndërsa të mbyllur në shtëpinë e tyre në Spata të Greqisë, bënin planin për të marrë peng autobusin, duke shpresuar se paratë që do të "fitonin" nga ky akt, do t'i ndihmonin për të hapur furrë buke në në vendin e tyre. Por në vend që të hapnin rrugën për "bizneset" e tyre, hapën dyert e një karriere në burgjet greke. Gazeta greke "Eleftherotipia", bën të ditur çka Leonard Murati dhe Njazi Resuli kanë deklaruar para autoriteteve policore greke. Prej një muaji ata planifikonin se si do të merrnin peng autobusin, në apartamentin e vogël që kishin marrë me qira në Spata, ku edhe banonin së bashku, duke shpresuar se do të mund të çonin autobusin së bashku me eurot në Shqipëri. Fillimisht kishin blerë dy çifte gjahu dhe rreth tridhjetë kallamë dhe ëndërronin se si, pasi të kishin marrë 1 milion euro, do të mund të shkonin në Shqipëri së bashku me autobusin që do të merrnin peng. Paralelisht blenë edhe një litar që përngjasonte me fitil eksplozivi, të cilin gjatë aktit të rrëmbimit të autobusit e kishin lënë të varej jashtë çantës me ushqime, për të bindur të tjerët se ishin dy kamikazë të vendosur për të hedhur në erë veten megjithë pengje. Fillimisht, deklaruan rusë, në mënyrë "që të merreshin seriozisht nga policia", ndërsa emrin Hasan e përzgjodhën që "policia të mendonte se jemi fanatikë myslimanë, të gatshëm për gjithçka. Para se të ndodhnin të gjitha këto, Leonard Murati, i cili kishte leje qëndrimi dhe leje pune në Greqi, si dhe shoku i tij i fëmijërisë, Njazi Resuli, i cili jetonte ilegalisht, në më të shumtën e rasteve punonin në ndërtim ose si bojaxhinj. Në momentin e marrjes peng të autobsit, duket se plani që kishin vënë në zbatim nuk pati asnjë sukses, pasi dëshmitë e të gjithë pengjeve bënin fjalë për dy njerëz që s'dinin se çfarë kërkonin. Plani i "menduar" gjatë për një muaj rresht, duket se në disa sekonda u bë shkrumb e hi. Ndoshta e kishin kuptuar që ajo ç'ka kishin bërë ishte një idiotësi. Frika i pengonte që të dorëzoheshin, por edhe "shpresa", se ndoshta mund të merrnin eurot. Situata e tyre psikologjike ishte kaq e rënduar, sa njëra nga pasagjeret greke, Stela Matara, shpeshherë u detyrua të bënte psikanalisten, për t'i qetësuar. Madje, do të ishte po ajo që i bindi, në fund fare, për të hedhur ajo vetë çantën e mbushur me "ekspoloziv" dhe dy çiftet jashtë autobusit, dhe pas kësaj të dorëzoheshin. Fundi tashmë dihet, e fatmirësisht pa gjakderdhje dhe dy "kamikazët", në vend që të hanin furra buke, hapën dyert e burgjeve greke, ndoshta për një kohë shumë të gjatë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›