E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD: Në Buxhet janë parashikuar 334 milionë më pak se në 2005-ën

18/12/2004  Dekanët e fakulteteve kanë mbetur të pakënaqur nga ulja e Buxhetit prej 334 milionë lekësh, që qeveria ka parashikuar për vitin 2005 për arsimin. Përfaqësues të universiteteve janë pritur dje në një takim nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, gjatë të cilit kanë shprehur dhe vërejtjet që ata kanë për buxhetin e arsimit për vitin 2005, dhe kërkojnë nga grupi parlamentar i opozitës që të moslejojë miratimin e tij pa bërë ndryshimet përkatëse. Dekani i Fakultetit Ekonomik, Dhori Kule, shpjegoi në këtë takim dhe arsyet se përse ky buxhet nuk duhet kaluar në këto shifra që është, pasi në të jo vetëm që ka një ulje të theksuar në krahasim me vitin e kaluar, por nuk është pasqyruar as fondi që duhet të jepet për ngritjen e pagave të pedagogëve. "Në buxhet duhet të pasqyrohet shifra prej 600 milionë lekësh, që do të shërbejnë për rritjen e pagave të pedagogëve. Ndërkohë që, Buxheti i vitit 2005 për arsimin, në krahasim me atë të vitit 2004, ka 334 milionë lekë më pak. Buxheti i arsimit të lartë duhet të ruaj minimalisht shifrat e vitit të kaluar si dhe në raport me GDP-në duhen parë të ndërlidhura, pasi arsimi i lartë është në nevojë për investime në rritje dhe jo në ulje", tha Kule. Për dekanin e Fakultetit të Shkencave Sociale, Ylli Pango, mbetet e dyshimtë prejardhja e fondeve për shtesat e pagave, pas deklaratave të qeverisë se nuk do të preken të ardhurat dytësore të universiteteve. "Nëse ne do të kemi shtesën e premtuar, e cila nuk prek të ardhurat dytësore, që kap shifrën prej 6 milionë dollarë, nga Këshilli i Ministrave është thënë se gjysma e kësaj do të jetë në mënyrë direkte. Ndërsa gjysma tjetër, unë dua të di se nga cila pjesë do të merret ose si do të ekuilibrohet kjo gjysmë tjetër për shtesën e pagave. Kjo duhet të saktësohet, qoftë nga komisioni përkatës, qoftë nga grupi i PD-së para se buxheti të aprovohet në Parlament, për të mos lënë mundësi për ndonjë devijim tjetër", tha Pango. Nga ana e tyre, deputetët e PD-së u shprehën, se mendimet e tyre do të kihen parasysh në seancën që do të zhvillohet në Parlament për këtë çështje, dhe në bazë të këtyre sugjerimeve do të kërkohen ndryshimet përkatëse në buxhetin për arsimin. Në kërkesat e tyre, përfaqësuesit e universiteteve janë përkrahur dhe nga PDR-ja, e cila me anë të një deklarate për shtyp, ka kërkuar rritjen e buxhetit për arsimin. Sipas deklaratës, qeveria me anë të këtyre politikave synon uljen e buxhetit për arsimin nga viti në vit. "Derisa flasim për një politikë prioritetesh, atëherë ky buxhet duhet të vijë në rritje dhe jo në rënie", thuhet në deklaratën e PDR-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›