Tri taksa do të paguajnë pagat e arsimit dhe shëndetësisë
18/12/2004 Komisioni i Ekonomisë i ka bërë modifikimet e fundit të buxhetit, duke ndihmuar në rritjen e pensioneve, por dhe në uljen e kompetencave të qeverisë për të rialokuar fondet buxhetore. Komisioni vendosi përfundimisht që, pagat e arsimtarëve parauniversitarë dhe shëndetësisë të rriten në 2005-ën mestarisht 8 për qind, duke iu dhënë dhe fondin prej 2.3 miliardë lekësh, ku 600 milionë do të jenë vetëm për shëndetësinë. Buxheti i Shtetit ka llogaritur të shtojë të ardhurat e veta me rreth 800 milionë lekë, vetëm nga tri taksat e reja të vendosura në Paketën Fiskale 2005. “Impakti i këtyre taksave nuk ishte vendosur në Paketën Fiskale, dhe do të llogaritet si shtesë në Buxhetin e 2005-ës”, ka deklarura Ylli Bufi. Shtesat në buxhet janë para të nevojshme pas rritjes së ndjeshme të fondit të pagave për arsimin e shëndetësinë, duke detyruar Komisionin e Ekonomisë, jo vetëm të kërkojë burime të ardhurash, por dhe të shkurtojë fondin e rezervës dhe të kontigjencës. Kështu, ndryshe nga sa ishte menduar, fondi i pagave nga 1.8 miliardë lekë ka shkuar në 2.5 miliardë, duke bërë që shtesa prej 700 milionë lekësh të sigurohet nga të ardhurat në buxhet. Kështu buxheti pret më shumë para nga taksapaguesit që duhet të paguajnë taksën e automjeteve, e cila do të vendoset për herë të parë në 2005-ën dhe do të aplikohet në dogana paralelisht me taksën e çdoganimit. Taksa e gazoilit, e cila pritet gjithashtu të ketë rritje të ndjeshme, edhe pse qeveria pretendon se ka ngrirë tarifën e akcizës së kësaj takse. Ndërkaq akciza e pijeve alkoolike dhe parfumeve që ka shënuar rritje, duhet të jetë gjithashtu një tregues që do të plotësojë burimet shtesë që do të ketë nevojë Buxheti në 2005-ën. “Nuk duhet të harrojmë se Paketa Fiskale kishte taksa që kanë ulje dhe kanë patur ndikimin e tyre negativ mbi buxhetin”, ka deklaruar Ylli Bufi. Për të realizuar rritjen 10 për qind të pensioneve në 2005-ën, Komisioni ka vendosur të shtojë me 940 milionë fondin e pensioneve, ku 340 milionë shtesë duhet të sigurohen nga kontributet shoqërore, ndërkohë që pjesa tjetër duhet të ulet nga fondi i pagesës së papunësisë dhe ndihmës ekonomike, duke dhënë kështu më pak për të papunët dhe të varfërit në 2005-ën. Ndërkaq rritje të fondit ka patur dhe për infrastrukturën, për të cilën deputetët në komision kanë debatuar gjatë. Në përfundim është vendosur që ky zë të shtohet me 1 miliard lekë, duke marrë edhe 300 milionë lekë të tjera nga fondi i rezervës. “Janë marrë rreth 200 milionë lekë nga fondi i rezervës për pagat e arsimtarëve dhe duke shtuar dhe 300 milionë lekë për infrastrukturën, rrezikohet të mbetemi pa fond rezervë për raste emergjente”, është shprehur Mimoza Dhëmbi, drejtoreshë e Buxhetit në Ministrinë e Financave. B.K.