Në 2005 nuk ka rritje pagash
18/12/2004 Buxheti i vitit 2005 nuk ka parashikuar asnjë rritje page për buxhetorët e thjeshtë si dhe administratën shtetërore. Rreth 110 mijë buxhetorë, përjashto ata që punojnë në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë, nuk do të kenë në 2005-ën rritjen tradicionale prej 10 për qind, e cila, zakonisht ju akordohej në gjashtëmujorin e dytë të vitit. Zhurma e punonjësve të arsimit dhe të shëndetësisë, detyroi buxhetin të tkurrej në disa sektorë për të alokuar fondet në sektorët më nevojtarë. Duket se arsimi dhe shëndetësia mundën të fitojnë një shtesë modeste, ndërkohë që buxhetorët e tjerë, edhe pse kanë paga të ulëta, nuk do të kenë asnjë përqind rritje të rrogës së tyre. ”Buxheti nuk ka parashikuar asnjë fond për rritjen e pagave të buxhetorëve të tjerë”, ka deklaruar gjatë konferencës për shtyp, Ylli Bufi, kryetar i Komisionit të Ekonomisë. Deputetët përbëjnë një pjesë të administratës buxhetore, që nuk do t’u akordohet asnjë rritje page gjatë 2005-ës. “Nuk do të ketë asnjë lek rritje rroge për deputetët”, ka bërë të ditur gjatë diskutimit të ndryshimeve buxhetore, deputeti Erion Braçe. Ndërkaq, Qeverisë i është reduktuar e drejta për të kaluar fondet e miratuara nga një sektor në sektorin tjetër. “Eshtë reduktuar e drejta për të rialokuar fondet nga 7 për qind në 5 për qind“, ka deklaruar Ylli Bufi. Por vendimet e Komisionit nuk ndalen këtu. Buxheti duhet të reduktojë me 55 milionë lekë shpenzimet administrative për t’i kaluar këto para në sektorët prioritarë dhe që kanë më shumë nevojë. Nga ana tjetër, zbrazja e „thesit“ që quhet fondi rezervë dhe është përdorur nga qeveria për të rritur në 2004-ën pagat e punonjësve të institucioneve të pavarura, nuk premton asgjë për 2005-ën. Një pjesë e mirë e këtij fondi ka kaluar që në fillim të buxhetit për të përballuar shtesat në pagat e arsimit si dhe për çështjet e infrastrukturës. Të gjitha ndryshimet e përmbledhura në një relacion, Komisioni i Ekonomisë do t’i kalojë për miratim pas dy ditësh në Parlament, duke kërkuar që të respektohen ndryshimet që kanë ardhur si pasojë e kërkesave të vetë institucioneve, por dhe të organizmave jo qeveritarë.