Pollo prezanton kandidatët në Peqin
23/05/2005 Ne vijim të turit elektoral “Kthimi i Besimit”, kryetari i PDR, Genc Pollo, prezantoi në Peqin kandidatin e PDR për zonën zgjedhore 51, zotin Ali Gripshi. Në tubimin e përkrahësve reformatorë, Pollo tha se “këto 8 vjet bujqësia ka qenë sektori i harruar i ekonomisë shqiptare. Fermerët kanë qenë jetimët shtetërorë, mazhoranca e ardhshme duhet të sigurojë kreditime speciale për ta; kanale reale për vaditje e kullim; kontratë blerje të garantuara dhe mbrojtje nga konkurrenca e pandershme". PDR ka organizuar disa tryeza ekspertësh për bujqësine dhe ka prezantuar alternativat e saj para Forumit të Fermerëve. Në prezantimin e kandidatit të zonës 50 në Rrogozhinë, Bashkim Bardhi, kryetari i PDR, Pollo, tha se "nëse ka diçka që na mban larg nga Evropa e ëndërruar, kjo është varfëria, e me të, dhe motra e saj, papunësia. Sot, numri i njerëzve që fitojnë 1 deri 2 $ në ditë, është në kulm, ndërsa 30 % e forcës aktive është pa punë. Shto këtu edhe 50 000 të rinj çdo vit. Përgjigja jonë duhet të jetë biznesi, sipërmarrja e lirë, e hapur për të gjithë dhe jo përqëndrimi në 12 duar, përmes korrupsionit e monopoleve. Garë e barabartë dhe shpërblim për investimin, aftësinë e meritën“.