E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Olldashi, ministri i kabinetit të ardhshëm"

23/05/2005  Kryetari i PD-së, tha në Shijak se angazhimi kryesor i tij, do të jetë lufta kundër monopoleve

"Jemi për konkurencë të lirë pasi, është e vetmja mënyrë për të kthyer imazhin e shqiptarëve"

Gjatë turit të takimit në qarkun e Durrësit, kryetari i PD-së, ka prezantuar Sokol Olldashin, si një nga ministrat e ardhshëm, nëse opozita aktuale fiton zgjedhjet. Në një miting të zhvilluar në Shijak, Berisha është shprehur se kandidatura e Olldashit, është më e mira për këtë zonë, pasi ka dhe mbështetjen e aleatëve të PD-së. Ndërsa në platformën e PD-së, Berisha ka vendosur si pikë kryesore, luftën kundër korrupsionit dhe monopoleve. Kryedemokrati është shprehur se vetëm me eliminimin e këtyre dy fenomeneve do të ketë një rritje të punësimit dhe të ekonomisë së familjeve shqiptare. Nga ana tjetër, duke pranuar se kandidatura e PS-së në këtë zone, Agron Duka, ka investuar për komunitetin, Berisha është shprehur se Duka nuk e ka ngritur zërin në parlament në mbrojtje të kësaj zone. Madje, me tone të ashpra, kreu i PD-së ka akuzuar konkurentët socialistë se mandatin e deputetit, do ta përdorin për të mbrojtur interesat dhe bizneset e tyre personale.

Prezantimi

Kreu i PD-së, gjatë fjalës së tij, ka akuzuar socialistët për krijimin e monopoleve, të cilat kanë dhënë një imazh tepër negativ për Shqipërinë. Ndaj, ai theksoi se nëse PD do të vijë në pushtet, do të aplikojë të gjitha lehtësirat për një konkurencë të lirë.

"Jemi për konkurencë të lirë pasi, është e vetmja mënyrë për të kthyer imazhin e shqiptarëve para ndërkombëtarëve, që e shohin me shumë dyshim të kaluarën tetë vjeçare të Shqipërisë", tha kryetari i Partisë Demokratike. Gjithashtu, ai ka kërkuar votat e elektoratit Shqiptar për kandidaturën e Sokoll Olldashit në këtë zonë. Kjo, dhe për vetë faktin se, Olldashi është parashikuar të jetë një nga ministrat e ardhshëm të kabinetit "Berisha". "Kandidatura e Sokoll Olldashit që e paraqesim në këtë zone, do të jetë anëtar i kabinetit të qeverisë shqiptare", tha Berisha.

Sulmi

Gjatë mitingut, Berisha ka akuzuar kandidatin e PS-së për trafik cigaresh. Ai tha se, "nga shërbimet sekrete perëndimore, është vërtetuar se 7 milionë dollarët e cigareve të kapura në Durrës, në magazinat e të kërkuarit Fatmir Zotaj, janë të ministrit Duka". Ndaj, ai shprehu bindjen se, elektorati do të votojë për ndryshimin, pasi do të jetë lufta më e mirë kundër korrupsionit. "Duke luftuar korrupsionin, do të hapen vende të lira pune", tha Berisha në fjalën e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›