E Shtunë, 31 Tetor 2026

MPB: Mbrojmë të drejtat e të gjithë qytetarëve

(E plotësuar) Ministria e Punëve të Brendshme dënon dhunën e ushtruar ndaj aktivitetit të organizuar nga “Kosovo 2.0”, si dhe dëshiron të garantoj opinionin publik se të drejtat e njeriut në Kosovë do të mbrohen me çdo kusht nga Policia e Kosovës, sipas standardeve evropiane, pa dallim race, religjioni, etnie, gjinie apo orientimi seksual.

Ministria e Punëve të Brendshme përkrahe fuqishëm të drejtën e lirisë së shprehjes dhe bën thirrje për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë./Indeksonline/

.....

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka dënuar sulmin ndaj konferencës ku do të promovohej numri i ri i revistës lokale “Kosovo 2.0”, në lidhje me barazinë dhe diskriminimin e komunitetit homoseksual.

“Ky është sulm mbi lirinë e shprehjes. Respektimi i ligjit dhe lirisë së mediave është thelbësor për arritjen e paqes së qëndrueshme dhe mbrojtjen efektive të të drejtave të njeriut në Kosovë”, ka thënë përfaqësuesi u UNMIK-it, Farid Zarif.

Duke folur për komunitetin homoseksual, Zarif ka theksuar nevojën për arsimimin publik kundër praktikave diskriminuese të tij.

Ai po ashtu u ka bërë thirrje autoriteteve që të hetojnë incidentin dhe të marrin masat e duhura për dekurajimin e “sjelljeve të tilla jotoleruese”.

Të premten mbrëma, një grup i protestuesve është mbledhur para Qendrës për Rini dhe Sport në Prishtinë dhe ka përdorur dhunën për të ndaluar njerëzit që të marrin pjesë në prezantimin e gazetës./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›