E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zogaj kundërshton Berishën për statusin e vendit kandidat të BE

Dade akuzon mazhorancën se po sulmon institucionet e pavarura
Kërkesa e statusi të  vendit kandidat për në BE është kthyer në  mollë sherri midis pozitës dhe opozitës, midis qeverisë dhe diplomatëve por edhe midis radhësve të mazhorancës. Diëtn e djeshme  përveç opozitës kanë reaguar kundër kandidimit edhe deputetë të mazhorancës. Kryetari i Komisionit të Jashtëm njëkohësisht deputeti i PD, Preç Zogaj ka dalë kundër kryeministrit Berisha, përsa i përket kërkesës së Shqipërisë  për statusin e vendit kandidat në BE. Zogaj ka marrë parasysh thirrjen e Brukselit për të mos aplikuar brenda presidencës ceke, duke nënkuptuar se nxitimi për këtë aplikim do të ishte në dëm të vendit tonë dhe se një hap i tillë duhet të merret pa dyshim duke qenë në kontakt me autoritet ndërkombëtare. Një kërkesë për ta futur në sirtar, një aplikim për ta futur në frigorifer dhe aq me keq një kërkesë prej së cilës mund të mbahet një qëndrim tjetër neve nuk na intereson. Në këtë kuptim unë mendoj se çështja e datës nuk duhet të shndërrohet në një obsesion politik, o tani, o më vonë, para zgjedhjeve, pas zgjedhjeve, kjo është një gjë që ne jemi gati ta bëjmë kemi vetëdijen se ka ardhur momenti për ta bërë, ndërkohë që data do të vendoset në konsultim me partnerët, u shpreh Zogaj. Ndërsa kryeministri Berisha ditë më parë,  ka deklaruar se Shqipëria e meriton plotësisht të ndërmarrë këtë hap, tashmë që edhe proceset e ratifikimit të marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit kanë përfunduar. Ai ka thënë se edhe parlamenti me konsensusin e të gjitha forcave politike e ka kërkuar një gjë të tillë nga qeveria. Edhe nënkryetarja e Komisionit të Jashtëm njëkohësisht deputete e PS, Arta Dade është bashkuar e bindur se qeveria nuk duhet të ndërmarrë këtë hap për aplikimin e statusit. Para se të bëjë deklarata të nxituara dhe kokëforte, kreu i qeverisë duhet të angazhohet seriozisht për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke nisur me procesin e pajisjes së votuesve me karta identiteti. Sipas Dades, kjo maxhorancë është thelluar në gabimet që ka bërë, sikurse është rasti i sulmeve ndaj institucioneve të pavarura apo ligji i lustracionit dhe një sërë ecurish të tjera për të cilat kritikat nga Bashkimi Europian nuk kanë munguar. Për këtë arsye, u shpreh Dade unë do ta quaja mençuri nga ana e mazhorancës që qeveris vendin, që të konsultohet me autoritet e Komisionit Europian, sikurse shprehet edhe rezoluta që ne kemi kaluar në Parlamentin e Shqipërisë. Ndër të tjera Dade shtoi se ajo çka i ka mbetur kësaj mazhorance është vetëm përgatitja për zgjedhje të lira, demokratike dhe të ndershme. Nuk kemi pse të bëhemi këmbëngulës apo kapriçioz. Një ditë më parë Brukseli nëpërmjet komisionerit për zgjerimin Olli Rehn, paralajmëroi Shqipërinë në lidhje më çështjen e kandidimit. Duke folur për rastin e Shqipërisë dhe Serbisë, Rehn, tha se këto dy vende duhet të plotësojnë kushtet përpara se të aplikojnë në të kundërt sipas tij refuzimi do të shoqërohet me pasoja të rënda. Deklarata e Rehn erdhi fill pas disa lajmërimeve si nga Çekia që ka drejtimin e radhës edhe nga përfaqësues të tjerë nga Bashkimi Europian se një hap i tillë duhet të merret në një kohë sa më të përshtatshme, por kreu i qeverisë ka deklaruar se qeveria e tij shumë shpejt do të aplikojë për statusin e kandidatit për në Bashkimin Europian, duke injoruar kështu sinjalet e forta të ndërkombëtarëve. Edhe eurodeputetja Doris Pack ka deklaruar se nuk është momenti për të kërkuar statusin kandidat. Pack është e bindur se një aplikim nga ana e Shqipërisë nuk mund ti përgjigjet e vetme presidenca ceke, pasi duhet të jenë dakord 27 vendet e BE, kur dihet tashmë që ky organizëm në këto momente ka të tjera probleme. Ajo sugjeron që aplikimi të bëhet në fund të këtij viti me qëllim që të arrihet marrja e një përgjigje të paktën vitin tjetër. Nëse e shihni çfarë ndodh në BE në këtë moment që po flasim, do të kemi dhe zgjedhjet e Parlamentit Evropian, do të kemi një Komision të ri. Ata nuk do të marrin asnjë përgjigje. Është koha e zgjedhjeve për në Parlamentin Europian, çka do të thotë që pritet edhe ngritja e një Komisioni të ri që do të shqyrtojë kërkesën e Shqipërisë. Në këto kushte, nëse kërkesa bëhet në prill mund të mos ketë asnjë përgjigje nga BE, ka argumentuar Pack. Europarlamentarja ka sugjeruar pritje dhe se kjo shprehje nuk duhet përdorur si manovër politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›