Pasaportat Biometrike, shiten 100 kupona ne Tirane

Karta e Identitetit, shiten rreth 360 mijë kuponë në zyrat postare
Tiranë, 25 mars 15:04 NOA - Prej 21 marsit në sportelet e Postës Shqiptare ka nisur shitja e kuponëve për qytetarët e kryeqytetit për pajisjen e tyre me Pasaporta Biometrike. Nga ana e saj kompania tha sot se ka marrë të gjitha masat e duhura që procesi të ecë në rrugën e duhur duke u pajisur me sasinë e nevojshme të kuponëve dhe gjatë këtyre ditëve nuk ka pasur radhë në sportele.
“Deri sot janë shitur 100 kuponë dhe duhet theksuar se procesi i shitjes së tyre është vetëm në Tiranë”, - deklaroi Bruno Gjymshana, zëdhënës i Postës Shqiptare.
Procesi i aplikimit për pasaportë biometrike është i njëjtë me procesin e aplikimit për letërnjoftimin elektronik, thjesht qytetarët duhet të blejnë pranë zyrave postare kuponin për pasaportën biometrike.
Ndërkohë shtetasit shqiptarë vazhdojnë të trokasin çdo sportelet e Postës Shqiptare për të tërhequr kuponin dhe më pas për të aplikuar në zyrat e minibashkive, bashkive dhe komunave për marrjen e kartës së identitetit.
Posta Shqiptare tha se të gjitha zyrat postare në Tiranë janë të gatshme që të pajisen shtetasit me kuponë aq sa të jenë kërkesat e tyre.
Deri me tani sasia e kuponëve për kartë identiteti dhe pasaportë biometrike, të shitur ka kapur shifrën e mbi 360 mijë.
Drejtues të Postës Shqiptare pohuan se komunikojnë sistematikisht më firmën Aleat dhe nga të dyja palët furnizimi i sporteleve më kuponë konsiderohet si një çështje e zgjidhur. Ndërkohë grupet e patronazhit të krijuar nga Posta Shqiptare për të mbikëqyrur procesin e shitjes së mandatave të arkëtimit (kuponëve) në mënyrë sistematike mbledhin informacion mbi numrin e shitjeve ditore.
Prej më shumë se 2 muajsh kur procesi startoi në kryeqytet Posta Shqiptare thotë se ka qenë në gatishmëri për të garantuar me siguri të plotë mbarëvajtjen e procesit.
Ajo bën të ditur se po vazhdohet të punohet me dy turne nga e hëna në të shtunë në zyrat postare të Tiranës, sikurse dhe në rrethe nga ora 07:30 deri në 19:30 të mbrëmjes, kurse të dielën nga ora 08:00 deri në 15:00.
e.l/NOA