E Shtunë, 31 Tetor 2026

MPTT konfirmon shembjen në tunelin e Thirrës

TIRANE- Pas dy ditësh, qeveria konfirmon shembjen në tunelin e Thirrës, në Kalimash. Lajmi u publikua dy ditë më parë në News 24, ndërkohë që vetëm sot kemi reagimin zyrtar të MPTT. Sipas zëdhënëses së Ministrisë së Transporteve, Arminda Qylafku, shembja në tunel ka ndodhur si pasojë e fenomeneve gjeologjike, ndërkohë që thekson se shembja ka ndodhur në galerinë jugore të tunelit të Thirrës. 
“Më datë 5 nëntor, rreth orës 10 në galerinë jugore të tunelit ka ndodhur një rënie e masivit shkëmbor, si pasojë e fenomeneve gjeologjike të strukturës shkëmbore”, shprehet zëdhënësja e MPTT-së. Sipas kësaj deklarate, kjo është një situatë që nuk paraqet rrezikshmëri, pasi fenomene të tilla janë frekuente. “Fenomene të tilla janë frekuente në punimet në tunele. Rrjedhimisht situata nuk paraqet asnjë rrezikshmëri, pasi tuneli sic e kemi njoftuar edhe më parë, do të jetë i hapur pasi të kenë përfunduar punimet në të”, thekson Qylafku. Deklarohet se galeria jugore ende nuk është hapur për kalimin e mjeteve, ndërkohë që nga shembja nuk u lëndua asnjë punëtor.
Shembja në tunelin e Thirrës ndodhi mbrëmjen e së enjtes. Në tunel në momentet e shembjes kishte edhe punëtorë që punonin. Ndërsa banorët e zonës rrëfyen më herët për News 24 se shembja u ndje si një tërmet disa ballësh.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›