E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agolli: Fakte zyrtare ndaj pretendimeve të Olldashit

TIRANE- Pas bërjes publike të disa dokumenteve një ditë më parë nga ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, sipas të cilave, Bashkia e Tiranës është në dijeni të faktit se toka në qendër të qytetit është shtetërore ka reaguar menjëherë administratori i përgjithshëm i Bashkisë, Dritan Agolli. Sipas administratorit Agolli, shkresa që ka bërë publike ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi nuk ka asnjë lidhje me pronën në qendër të Tiranës. Ai pohon se dokumentet e paraqitura nga z. Olldashi i përkasin lulishtes përpara Bankës së Shqipërisë, ndërkohë që thekson se ka fakte zyrtare, ndaj pretendimeve të Olldashit.

Një ditë më parë Ministria e Punëve Publike, në kundërpërgjigje të akuzave të vazhdueshme të Bashkisë Tiranë dhe deputetëve të Partisë Socialiste, bën publike dokumente të firmosura nga kryebashkiaku Rama dhe administratori i përgjithshëm i Bashkisë, Dritan Agolli, sipas të cilave vërtetohet se trualli në qendër të Tiranës, ndërmjet rrugës së Kavajës dhe asaj të Durrësit, nuk është privat. Në një shkresë zyrtare të datës 7 korrik 2009, zyra e Avokatisë së Shtetit i ka bërë të ditur Bashkisë së Tiranës se brenda kufijve të pronës së familjes Kika figuron të ketë dhe prona shtetërore në të cilat përfshihet dhe ky shesh. Nisur nga kjo, Bashkia Tiranë, me firmë të kryebashkiakut Rama i ka kërkuar zyrës rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave që në lidhje me pronën e familjes Kika të mos procedohet me kthim fizik, pasi ky truall nuk është i lirë sepse është truall shtetëror. Këto dokumente i bëri publike një ditë më parë ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi. “Të tria këto dokumente vërtetojnë që z. Rama dhe zyrtarë të tjerë të Bashkisë janë në dijeni të faktit se ajo është pronë shtetërore, që është shkelur në mënyrë të parregullt”, - u shpreh Olldashi.

Konflikti mes qeverisë dhe Bashkisë për truallin në qendër të Tiranës, ku e para thotë se është pronë shtetërore dhe Bashkia pronë private, mori një përmasë të re pas deklaratës së kryeministrit se, së shpejti do ta nxjerrë në ankand për shitje.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›