Sonte dëshmi dhe pamje ekskluzive në Greqi për Nevruz Brahilikën
Javën e kaluar në “Njerëz të Humbur” në Vizion Plus teleshikuesit patën mundësi të ndiqnin histori dhe ngjarje interesante të emigrantëve, por jo vetëm. E tillë ishte dhe historia e Ymer Pones. Ai u largua para 7 vitesh në drejtim të Italisë së bashku me një mikun e tij dhe që atëherë nuk u kthye më në shtëpi. Ndonëse udhëtimi drejt shtetit italian ishte një luftë mes vdekjes dhe jetës, ai arrin të kapërcejë gjithë atë hapësirë kilometrike ujore dhe të gjendet në mes të Italisë shëndoshë e mirë. Gjen mundësinë të telefonojë motrat e tij dhe u jep lajmin e ankthshëm se kishte mbërritur mirë në shtetin fqinj. Pas dy muajsh Ymeri telefonon sërish në familje, këtë herë nga shteti i Zvicrës. Shumë shpejt do të gjendej në Gjermani, nga ku bëri edhe telefonatën e tretë dhe të fundit me familjen. Në këtë telefonatë ai i kërkoi motrës së tij, Fluturës, t’i dërgonte pasaportën sepse i duhej për të bërë dokumentet. Gjithçka përgatitet me kujdes nga motra e tij, por pasi 30-vjeçari u thotë familjarëve se e kishte marrë pasaportën, humbet përgjithmonë. Mungesa e gjatë e tij e detyroi familjen e tij të varfër që t’i drejtohej “Njerëz të humbur” duke mos marrë asnjë përkrahje nga instancat e tjera shtetërore. Me trajtimin e rastit “Pone” në “Njerëz të humbur”, të shtunën mbrëma në televizionin Vizion Plus, vërshuan mjaft telefonata nga emigrantë shqiptarë që jetojnë në shtetin gjerman. Me i lakuari ishte qyteti Alterburg, ku e kishin parë Ymerin shumë herë. “Njerëz të humbur” u lidh po këtë mbrëmje me bashkëpunëtorët tanë në shtetin gjerman, ku u arrit të merrej vesh edhe identiteti i ri që Ymer Pone mban aktualisht në këtë shtet. Përfundoi suksesshëm historia e kërkimit të nënës biologjike të Edlira Bakos. Vajza 30-vjeçare kishte ardhur në jetë në datën 23 janar të vitit 1978 në maternitetin e Tiranës. Sapo ka lindur ajo është dërguar në Shtëpinë e Fëmijës në Durrës, ku ka qëndruar deri në moshën 2-vjeçare. Qëkur ishte e vogël ajo merr vesh se ishte birësuar, por pas vdekjes së prindërve birësues ajo merr vesh se nëna e saj biologjike quhej Ana Voja. Ecejaket e Edlirës filluan të vështirësoheshin. Divorci nga bashkëshorti më të cilin ajo kishte menduar të kalonte jetën e saj ia bëri gjërat edhe më të vështira. Dhe nuk duroi më, por troket në “Njerëz të humbur” për t’i dhënë fund këtyre maktheve. Kërkimet e para u përqendruan në shtëpitë e fëmijës aty ku gazetarët e këtij emisioni mendonin se do të gjenin një përgjigje sado shpresëdhënëse rreth fatit të nënës së saj. Përpos faktit se nëna kishte të njëjtin identitet të cilin ajo e kishte zbuluar kohë më parë, stafi i Aida Shtinos zbuloi se ajo ishte nga Vlora. Ditët kalonin, por edhe javët gjithashtu dhe ankthi filloi të rritej instinktivisht brenda qenies së Edlirës. Nëna e saj u bë e gjallë, por ndodhej larg kufijve shqiptarë. Aida Shtino mendoi të realizonte takimin e tyre nën objektivin e kamerës së Vizion Plus. Kështu që rasti u la në heshtje për pak kohë. Momenti erdhi. Nëna e Edlirës vjen nga Greqia dhe pak nga pak do të realizohej takimi mes tyre. Atë ditë, Edlira nuk e kishte kuptuar aspak se në intervistën me gazetaren kjo e fundit i kishte përgatitur një surprizë. Teksa i përgjigjej pyetjeve të saj, nga pas nëna e Edlirës e pushton vajzën dhe për disa momente fjalët u zëvendësuan nga emocionet, lotët dhe përqafimet pa fund mes një nëne dhe bijës së saj. Nuk menduan për asnjë moment t`i kërkonin njëra-tjetrës shpjegime rreth kësaj ironie fati, por mjaftoheshin vetëm me faktin se pas 30 vitesh ato ishin bashkë. Përqafimi mes tyre sikur tregonte distancën e madhe të ndarjes mes tyre dhe donin ta plotësonin medoemos atë çast. Misioni i “Njerëz të humbur” përfundoi suksesshëm teksa Edlira një javë më vonë, e ftuar në “Njerëz të humbur” në Vizion Plus, tregoi momentet e atij takimi të shumëpritur. “Atë ditë rilinda dhe kjo falë jush Aida”, - do të përfundonte përshëndetjen e saj Edlira Bako, e cila erdhi me një shpresë, por u kthye në shtëpi më një realitet, atë të gjetjes së nënës që e kishte sjellë në jetë. Sonte në “Njerëz të Humbur” do të ndiqni: Xhirime, investigime dhe pamje ekskluzive nga Greqia nga vetë Aida Shtino për historitë e disa emigrantëve! Cilat janë dëshmitë që stafi i “Njerëz të Humbur” ka mundur të marrë në terren për Nevruz Brahilikën dhe Bledion Terpollarin. Cilat janë deklarimet që ka bërë pronari i Nevruzit për momentet e fundit të qëndrimit me të? Po “Pakoja e Kujtimeve” në cilën familje do të trokasë këtë javë? Nëse doni të përjetoni emocionet e kësaj surprize mos humbisni puntatën e radhës në orën 21:00. Të vërtetat e këtyre dilemave zbulojini sonte nga Aida Shtino dhe stafi i saj i gazetarëve në Vizion Plus.
10 Maj 2008