E Diel, 1 Nëntor 2026

Tritol në makinën e biznesmenit të ndërtimit nga Shijaku, dyshim për presion



DURRËS – Një sasi e konsiderueshme lënde eksplozive është vënë në makinën në pronësi të një sipërmarrësi në fushën e ndërtimit, duke e shkatërruar thuajse tërësisht, ndërkohë që dyshimet e para janë hedhur për një presion ndaj tij. Burimet zyrtare të policisë së Durrësit bëjnë të ditur se rreth orës 03.10 të ditës së djeshme një shpërthim ka tronditur banorët e Lagjes Nr. 11 të qytetit bregdetar. Sipas tyre, është dëmtuar një makinë tip “Benz”, me targa DR 34 00 C, në pronësi të shtetasit Zamir Faja, inxhinier dhe ndërtues i njohur nga qyteti i Shijakut. Nga hetimet e para duket se në shënjestër të atentatit ka qenë pikërisht prona e Fajës. Specialistët e policisë shkuan në vendngjarje dhe nisën hetimet e para. Sipas burimeve në grupin hetimor, dyshohet se ka pasur rreth 200 gramw tritol, të cilat janë vënë fare afër gomës së automjetit. Plasja e tij është bërë me fitil të posaçëm, i cili ishte lidhur me kapsollën. Policia ka gjetur në vendngjarje fitilin dhe disa elemente të tjera, të cilat janë grumbulluar në cilësinë e provës materiale. Nga të dhënat dyshohet se vendosja e lëndës eksplozive mund të jetë bërë për të ushtruar presion ndaj tij. Nga shpërthimi i ndodhur dje në mëngjes është dëmtuar makina, e cila ka dalë jashtë përdorimit, si dhe janë thyer xhamat e disa prej apartamenteve që ndodheshin pranë vendngjarjes. Policia mori në pyetje inxhinier Fajën dhe tashmë kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

10 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›