Vrasja e dyfishtë, ndalohet autori dhe vëllai i tij
MALËSI E MADHE - Policia ka ndaluar autorin e dyshuar për vrasjen e dyfishtë që ndodhi tri ditë më parë në fshatin Bratosh të rrethit të Malësisë së Madhe, si dhe vëllain e tij, pasi iu janë gjetur një arsenal armësh në banesat e tyre. Ndërkohë që janë masa për të parandaluar ndonjë gjakmarrje të mundshme mes familjeve të palëve të përfshira në konflikt. Burimet zyrtare të policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se rreth orës 20:00 të ditës së enjte, është ekzekutuar urdhër-ndalimi i Prokurorisë ndaj Ardjan Narkajt, autor i dyshuar për vrasjen e shtetasve Gjergj Shota dhe Ton Ulaj, ku mbeti i lënduar edhe vetë ai gjatë shkëmbimit të zjarrit. Sipas njoftimit zyrtar, “ngjarja ndodhi për motive të dobëta, pas një konflikti të çastit mes autorit të krimit dhe dy viktimave”. Këta të fundit kanë qenë persona të shpallur në kërkim, pasi kanë qenë të dënuar me masën e burgimit 6 vjet e 9 muaj, për veprën penale të “vjedhjes me armë zjarri në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e autorit të dyshuar Ardjan Narkaj, është bërë e mundur gjetja e armëve, me të cilat mendohet se është realizuar krimi. Forcat e rendit gjetën dhe sekuestruar një pistoletë, një armë automatike, granata dhe me qindra fishekë të llojeve të ndryshme. Po gjatë orëve të vona të së enjtes, policia ushtroi kontroll edhe në banesën e vëllait të tij, shtetasit Kol Narkaj. Në shtëpinë e 48-vjeçarit Narkaj në fshatin Bratosh u gjetën 1 armë zjarri tip pistoletw, model 54 dhe 30 copë fishekë. Ardjan Narkaj akuzohet për veprën penale të “vrasjes në rrethane të tjera cilësuese”, “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”. Ndërsa Kol Narkaj për veprën penale të “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”. Organet hetimore kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur të mërkurën në mbrëmje, ku mbetën të vrarë dy persona.
ARSENALI I SEKUESTRUAR
1 pistoletë e tipit TT
2 krehra me 4 fishekë
1 automatik model 56
200 copë fishekë model 56
10 copë fishekë model 54
20 copë granata
5 copë ndezës denature
1 armë e ftohtë, thikë metalike
SHKURT
Dy të rinj në pranga, goditën rëndë 50-vjeçarin
GRAMSH - Dy të rinj nga Gramshi u ndaluan të premten nga policia, pasi plagosën për motive të dobwta me mjete të forta në kokë një 50-vjeçar. Shefi i Komisariatit të Policisë së Gramshit, Lulzim Shala, tha se "Luke Hoxha, banues në qytetin e Gramshit, u godit me mjete të forta për motive të dobëta nga dy shtetasit, Agim Paprri dhe Leonard Karai, përkatësisht 19 vjeç, banues në fshatin Cërujë". Sipas Shalës, Hoxha ka marrë plagë të rënda në kokë dhe është dërguar menjëherë në spitalin ushtarak të Tiranës në gjendje të rëndë për jetën.
Ndalohet i kërkuari në Portin e Durrësit
DURRËS – Tenton të ikë në Itali përmes Portit të Durrësit, por skenari i arratisjes ka dështuar, pasi është ndaluar nga policia. Burimet zyrtare të Komisariatit të Portit bëjnë të ditur se të enjten në mbrëmje, rreth orës 19:00, u bë e mundur kapjen e Saimir Renja, lindur e banues në fshatin Moravë Berat, i dënuar më parë për vjedhje”. Sipas tyre, 17-vjeçari është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Berat, pasi Gjykata e Rrethit Tiranë, me vendim të datës 07.05.2007 e ka dënuar me 3 muaj burg për vjedhje”.
Hyn i pirë në klasë dhe ngacmon mwsuesen, ndalohet
DURRËS – Denoncimi i një mësueseje është bërë shkak për nisjen e hetimeve ndaj një 34-vjeçari, pasi ai akuzohet se ka hyrë në mjediset e shkollës në gjendje të dehur, duke ushtruar dhunë verbale dhe ngacmuar autoren e kallëzimit. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës bëjnë të ditur se nisi procedimi penal në gjendje të lirë për Gentian Baganacin, lindur e banues në fshatin Katund Sukth. Ndaj tij u bë një kallëzim prej një mësuese të shkollës së Katund-Suktht, e cila pretendon se mëngjesin e së enjtes, Baganaci, është futur ne gjendje të pirë në ambientet e shkollës, duke prishur qetësinë publike e kërkuar të bisedojë për probleme personale me të.
Shpallet në kërkim, tentoi të vrasë bashkëfshatarin
ELBASAN -Një 35-vjeçar është shpallur “person në kërkim nga policia”, pasi ka tentuar të vrasë me armë zjarri bashkëfshatarin e tij. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në fshatin Xibrakë të komunës së Shalësit. Burimeve zyrtare të policisë thanë dje se “ka nisur çështja penale në ngarkim shtetasit Blerim Baha pasi ka kërcënuar për të vrarë me armë zjarri bashkëfshatarin e tij L. B., pas një zënke në një lokal në qendër të fshatit. 35-vjeçari Baha e ka ndjekur L. B. gjer afër shtëpisë së tij, ku e ka gjuajtur me armë automatike, por fatmirësisht plumbat nuk kanë goditur bashkëfshatarin. Policia sekuestroi në cilësinë e provës gëzhojat e armës dhe mjetin e tij të tipit “Renault” me targa Roma 79 219 F, pasi autori është larguar në drejtim të paditur.
10 Maj 2008