MSH-ja ngre grup pune për hetimin e shkaqeve të rastit të Poliçanit
Ministria e Shëndetësisë ka ngritur një grup pune, i cili po punon për analizimin e situatës në spitalin e Poliçanit, për gjetjen e shkaqeve, ku ditët e fundit janë shtruar rreth 70 persona. Burime nga MSH-ja bënë të ditur se në ndihmë të situatës janë nisur të gjitha kapacitet shëndetësore që gjenden atje dhe në rajonin e Beratit, të cilat janë kapacitete që mbulojnë të gjitha problematikat e shfaqura deri tani.
Sipas burimeve, në këtë rast, bëhet fjalë që format e sëmundjes së shfaqur nga pacientët janë forma të lehta të aparatit tretës. Në gatishmëri ndodhet dhe autoambulanca për çdo të papritur që mund të ketë. Por, bëhet e ditur se deri tani nuk ka njoftime për ndonjë ngjarje të rëndë dhe shumica e të sëmurëve kurohen dhe kthehen në shtëpi.
Burimet thanë se ende nuk dihen shkaqet e kësaj situate, por ato mund të vijnë nga ushqimi, uji i pijshëm etj.