Rama ndryshon 5 prokurorë në rrethe, për të rritur cilësinë e organeve të akuzës
Pas ndryshimeve që janë bërë kohët e fundit në prokuroritë e rretheve, Kryeprokurorja vazhdon të bëjë emërime të reja. Dy ditë më parë, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ka firmosur emërimin e drejtuesve të rinj në prokurori. Sipas burimeve nga ky organ, thuhet se ndryshimet janë bërë në prokuroritë e rretheve të Sarandës, Gjirokastrës, Matit, si edhe në Prokurorinë e Tiranës. Lidhur me këtë, Prokurorja e Përgjithshme nuk jep arsye se përse ka bërë këto lirime dhe emërime në organet e akuzës, por të lë të kuptosh qartë se është një ndryshim që bëhet për të rritur nivelin e prokurorisë shqiptare. Emërimet e reja janë bërë përkatësisht në Prokurorinë e Tiranës, ku zëvendësprokuror në këtë prokurori emërohet Kudusi Shahu, prokuror, i cili ka zëvendësuar prokurorin Arben Nelaj. Ndërsa në Sarandë është emëruar Alfred Agolli, prokuror si drejtues i ri në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të këtij qyteti. Gjithashtu, ndryshimet kanë vijuar edhe më tej, drejtuesi i ri i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër është emëruar Alfred Salihaj, i cili ka ushtruar për një kohë të gjatë profesionin si prokuror. Po kështu, në rrethin e Matit është emëruar drejtuesi i ri i Prokurorisë së këtij Rrethit Gjyqësor, Lazër Cardaku, prokuror. Emërimin nga organet e akuzës Rama e ka vijuar edhe në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, ku është emëruar zëvendësprokuror Arben Agovi, prokuror, i cili ka zëvendësuar prokurorin Agim Dalipi. Emërimi i këtyre prokurorëve ka ardhur pas zgjedhjes së 3 anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve tri ditë më parë. Zgjedhja e këtyre të fundit ka ndihmuar Prokuroren e Përgjithshme të vendosë për ndryshimet që janë bërë së fundmi në rrethe. Lidhur me këtë vetë Prokuroria Rama ka thënë “puna e Prokurorit të Përgjithshëm varet nga Këshilli i Prokurorisë” dhe ketë ajo e ka vërtetuar se pa u këshilluar me këtë këshill, nuk bënë ndryshime.