E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sanatoriumi mund të shërbejë edhe për kërkim shkencor

Sanatoriumi mund të shërbejë edhe për kërkim shkencor

Spitali i Mushkërive “Shefqet Ndroqi” do të shërbejë si një qendër e mjekimit, mësimit dhe kërkimit shkencor për rajonin e Tiranës.

Burime nga Ministria e Shëndetësisë thanë se mënyra e organizimit, struktura dhe rregullorja e funksionimit të këtij spitali përcaktohen nga Ministri i Shëndetësisë, ndërsa drejtimi institucional është në varësi të dyfishtë, të MSH-së dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, dikastere që bashkërendojnë veprimtarinë e spitaleve universitare.

Aktualisht, Spitali Universitar i Mushkërive “Shefqet Ndroqi” ofron shërbimin konservativ dhe kirurgjikal vetëm për sëmundjet e mushkërive. Ai do të funksionojë në tre blloqet aktuale të spitalit të mushkërive dhe do të ofrojë kujdes shëndetësor të nivelit sekondar dhe terciar, me 300 shtretër.

Në këtë spital do të funksionojë dhe pjesa e konsultave për vizitat ambulatore. Të tre blloqet e spitalit disponojnë shërbime bazë për përmbushjen e nevojave që lidhen me trajtimin mjekësor të pacientit si p.sh. shërbime diagnostikimi, shërbime mbështetëse mjekësore dhe jo mjekësore. Këto facilitete do të ruhen dhe do të punojnë si një njësi e vetme për spitalin.

Aktualisht, qendra më e rëndësishme e dhënies së ndihmës mjekësore në vend, unike për peshën që mban dhe cilësinë e shërbimeve, është Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Në të realizohet aktiviteti për trajtim pacientësh në nivel terciar, formimin universitar dhe pasuniversitar, si dhe kërkim shkencor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›