Grada “Doktor”, afati për disertacionet deri më dhjetor 2008
Këshilli i Ministrave miratoi dje disa ndryshime rreth hapjes së programeve të studimit të doktoratës në institucionet publike të arsimit të lartë dhe përcaktimin e kushteve që duhet të plotësojë studenti për marrjen e diplomës për gradën shkencore “Doktor”. Bëhet me dije se ky vendim parashikon edhe një pjesëmarrje më të madhe të profesoratit të fakulteteve në shqyrtimin e disertacioneve të doktoratës, përpara mbrojtjes së tyre në juri ose komision, si një parakusht i rëndësishëm për rritjen e cilësisë së doktoratave. Hyrja në fuqi e vendimit në dhjetor 2007, i gjeti një numër të madh doktorantësh në fazën e fundit të studimeve të doktoratës. Lidhur me botimet dhe referimet shkencore, ky grup i doktorantëve kishte plotësuar kriteret dhe detyrimet që parashikonte vendimi i mëparshëm dhe nuk kishte kohë të mjaftueshme për të plotësuar edhe kriteret e tjera që parashikonte pika 5 e vendimit të ri. Bëhet me dije se në ndryshimet që u miratuan në vendimin e djeshëm të Këshillit të Ministrave synojnë që t’i krijojnë mundësi grupit të doktorantëve të regjistruar deri më 31 dhjetor 2005 të përfundojnë studimet e doktoratës, duke ndjekur procedurën e re që parashikon vendimi i Këshillit të Ministrave më 5.12.2007, në pikën 5c, si dhe parashikon që disertacionet të dorëzohen në dekanat deri më 31.12.2008. Ndërkohë që për kandidatët e tjerë të regjistruar pas datës 1 janar 2006 i përfundojnë studimet e doktoratës në bazë të programit të studimeve me të cilin i kanë filluar ato dhe duhet të plotësojnë edhe kërkesat e pikës 5 të datës 5.12.2007, të cilat nuk kanë të bëjnë me programin e studimit, por thjesht me botimet dhe referimet që duhet të realizojnë kandidatët përpara mbrojtjes së disertacionit. Ky grup kandidatësh ka kohën e mjaftueshme për të plotësuar këto kërkesa. Ndërsa për kandidatët që janë regjistruar në studimet e doktoratës pas hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave, më datë 5.12.2007, i vijojnë ato në përputhje me programet e reja të studimit që parashikon ligji si dhe kërkesat e procedurat e reja që parashikon ky vendim.