E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarri ; Merr flakë parkingu i Doganës në rrugën e Durrësit

Një zjarr i rënë në parkingun e Doganës së Tiranës mbrëmjen e së martës ka shkaktuar një të plagosur rëndë si dhe djegien e dy automjeteve të transportit. Shkak për këtë incident mendohet të ketë qenë marrja flakë e depozitës së karburantit të automjetit tip “Volvo”. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 23:00 të së martës në “Rrugën e Durrësit”, ku në parkingun e Doganës së Tiranës është djegur automjeti kamion tip “Volvo” , me targa TR 5529 H dhe automjeti tip “Reno”, me targa DR 5529 E. Menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet zjarrfikëse dhe shërbimet policore ku mundësuan fikjen e menjëhershme të zjarrit, për të mos lejuar që incidenti të merrte përmasa fatale për të gjithë parkingun. Nga kjo ngjarje mbeti i plagosur rëndë, duke marrë 80% djegie në trup shoferi i automjetit shkaktar, 30-vjeçari, Elvis Koleci. Personi në fjalë është i shtruar në reanimacionin e QSUT-së “Nënë Tereza”, në gjendje kritike për jetën. Menjëherë në vendngjarje mbërritën ekspertët e PMNZH-së për të përcaktuar shkaqet e ndodhjes së kësaj të fundit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme dhe zbardhe të plotë të incidentit të së martës.

Durrës

Fillon procedimi penal për falsifikuesin e certifikatës

Dy ditë më parë Seksioni Kundër Krimit Ekonomik në Durrës ka bërë të mundur fillimin e procedimit penal ndaj Nefail Lushit, 26 vjeç nga Kukësi, por që banonte në “Sektorin Rinia” në Durrës. Sipas burimeve të policisë, ky person ka qenë i dënuar edhe më parë dhe aktualisht ndodhet në burgun e Lezhës, duke vuajtur dënimin. Procedimi penal ndaj tij filloi për arsye se nga verifikimet e kryera, rezultoi se ky shtetas ka falsifikuar certifikatën personale (duke vendosur në të gjeneralitetet e djalit të tij të xhaxhait), të cilën më pas e ka paraqitur për aplikim për pasaportë dhe është pajisur me këtë të fundit në vitin 2004. Veprat penale për të cilat filloi procedimi penal janë ato të falsifikimit të akteve të gjendjes civile dhe falsifikimit të vulave, stampave apo formularëve. Ndërkohë, materialet për këtë çështje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›