MSH, kujdes të veçantë ndaj shërbimeve të rehabilitimit fizik dhe mendor

Ministria e Shëndetësisë po punon për fuqizimin e shërbimeve të rehabilitimit fizik dhe mendor të personave me aftësi të kufizuara, duke synuar në të ardhmen krijimin e kapaciteteve të reja për krijimin e lehtësirave për këtë kategori. Specialistja e shëndetit mendor në MSH, Eljesa Arapi, tha gjatë një konference të organizuar nga Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, me mbështetjen e USAID-it, se "objektivi kryesor i politikave shëndetësore është përmirësimi i shërbimit të rehabilitimit fizik, i fokusuar tek njerëzit me paaftësi për të sjellë përmirësim të dukshëm në gjendjen dhe në cilësinë e jetës së tyre". Sipas saj, "për këtë qëllim po punohet në tre drejtime kryesore; në përmirësimin e cilësisë së shërbimit të rehabilitimit fizik dhe mendor në nivelin shëndetësor terciar, dytësor dhe parësor, në forcimin e kapaciteteve ekzistuese dhe zhvillimin e arsimimit për profesionistët e shërbimit të rehabilitimit fizik, si dhe në fuqizimin dhe rritjen e cilësisë në Qendrën Prostetiko-ortezike në Tiranë". Znj.Arapi përmendi si një ndër masat e ndërmarra nga MSH për të rritur kapacitetet rehabilituese ngritjen e një Qendre Kombëtare Rehabilitimi, në bashkëpunim me një kompani italiane, e cila po punon gjithashtu për projektimin e një qendre të tillë në spitalin e ri të Kavajës. Sipas znj.Arapi, "me iniciativë të MSH, u rimodelua projekti i këtij spitali, duke vendosur në katin e parë të tij krijimin e Qendrës për Personat me Aftësi të Kufizuara me 20 shtretër, që nga ana administrative dhe funksionale do të integrohet në Qendrën Kombëtare Referuese të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë". "Me miratimin e Strategjisë Kombëtare për Shëndetin Mendor, MSH ka marrë përsipër rikonstruksionin dhe ndërtimin e disa qendrave për këtë kategori të sëmurësh", tha më tej ajo, duke shtuar se në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, për t’i ardhur në ndihmë pacientëve para-tetraplegjikë, është përgatitur dhe një VKM për të vlerësuar masën, kriteret dhe procedurat e përfitimit të një pakete të veçantë higjieno-sanitare". Vëmendje e veçantë i është kushtuar dhe forcimit të arsimimit për profesionistët e shërbimit të rehabilitimit fizik. Ky objektiv po realizohet në bashkëpunim me Fakultetin e Infermierisë dhe Handicap International për krijimin e kushteve për arsimin e personelit të mesëm dhe atij të lartë për shërbimin e rehabilitimit fizik. Sipas znj.Arapi, "për të përmirësuar kushtet e punës dhe për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj personave me aftësi të kufizuar, lidhur me prodhimin dhe mirëmbajtjen e protezave dhe ortezave, nga ana e MSH janë miratuar fonde për ndërtimin e një reparti për prodhimin e protezave dhe ortezave pranë spitalit ushtarak, objektiv i cili ende nuk është arritur". Aktualisht, shërbimet rehabilituese shëndetësore për personat me aftësi të kufizuar në Shqipëri mbështeten në tre shtylla kryesore dhe janë të organizuara në nivelin e kujdesit parësor shëndetësor (Qendra Shëndetësore dhe Ambulanca), në nivelin dytësor (Spitale rajonale dhe të distriktit) dhe atë terciar (Spitalet universitare). Gjithashtu, në vend funksionojnë dhe disa qendra specifike për trajtimin, kryesisht të fëmijëve me probleme mendore dhe fizike, si Qendra Kombëtare për Mirërritjen dhe Zhvillimin e Fëmijëve në Tiranë, Qendra e Zhvillimit të Fëmijëve (Tiranë), Qendra e Zhvillimit të Fëmijëve-Njësia e Rehabilitimit në Poliklinikën e lagjes nr.2, qendrat komunitare të shëndetit mendor në Tiranë, Elbasan, Gramsh dhe Peshkopi. Këto institucione, sipas znj.Arapi, trajtojnë zakonisht simptomat ose shfaqjet klinike të sëmundjeve që i bashkëngjiten paaftësisë. Për zbatimin e objektivave të Strategjisë Kombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, në 2006 MSH hartoi dokumentin “Politika e zhvillimit të shërbimit të mjekësisë fizike dhe rehabilitimit në Shqipëri”, si dhe “Planin e veprimit për periudhën 2006-2011”, me qëllim përmirësimin e shërbimit të rehabilitimit tek njerëzit me aftësi të kufizuara....