Pollo: Çdo shoqëri matet me qëndrimin ndaj pakicave dhe personave me Aftësi të Kufizuar

Prezantohet Raporti i dytë monitorues mbi Aftësinë e Kufizuar, në zbatim të Strategjisë Kombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuar Raporti i dytë monitorues mbi aftësinë e kufizuar në Shqipëri, në zbatim të Strategjisë Kombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuar, që përmban vlerësime mbi 5 fushat e Planit Kombëtar të Veprimit të saj në 6 qytete kryesore të Shqipërisë: Tiranë, Shkodër, Durrës, Elbasan, Korçë e Vlorë, u prezantua sot në hotel "Rogner". Në këtë takim, të organizuar nga Fondacioni Shqiptar për të drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar me mbështetje të USAID, përshëndeti dhe zëvendëskryeministri Genc Pollo, i cili vlerësoi se "çdo shoqëri në nivelin e saj të humanitetit, matet me qëndrimin që mban ndaj pakicave dhe personave me aftësi të kufizuar (AK)". "Problemet e tyre, janë në vëmendje të veçantë të qeverisë dhe përbëjnë një angazhim serioz, për t’iu ofruar kushte të veçanta, situatë kulturore dhe psikologjike të shoqërisë ku ata ta ndiejnë veten të barabartë, jo të paragjykuar si dhe me akseset e duhura në të gjitha mundësitë që do t’ju ofrojë shoqëria", tha Pollo. Duke vlerësuar Strategjinë Kombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara jo si qëllim në vetevete, zëvendëskryeministri Pollo përshendeti rolin e rëndësishëm në hartimin, promovimin dhe monitorimin e saj nga shoqatat e personave me AK. Në cilësinë edhe të kryetarit të Këshillin Kombëtar për Çështjet e Aftësisë së Kufizuar, krijuar në dhjetor të 2005, Pollo vlerësoi studimin, punën e bërë dhe raportin e paraqitur nga Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me AK duke theksuar se në këtë mënyrë mundësohet një monitorim më neutral, objektiv dhe i besueshëm i strategjisë. Sipas raportit, në zbatimin e kësaj strategjie ka tendencë të qartë progresi në krijimin e kushteve më të mira për personat me aftësi të kufizuar. Në këtë sfidë të madhe gjatë këtyre 3 vjetëve është mundësuar, përmirësimi i kuadrit ligjor, rritja e mbështetjes financiare dhe zgjerimit të numrit të përfituesve PAK, krijimi i Fondit Social, që synon zgjerimin e rrjetit të shërbimeve sociale për të arritur ato objektiva që tashmë janë në strategji. Duke siguruar mbështetjen e mëtejshme dhe buxhetore të qeverisë, ai theksoi se "është e rëndësishme të bashkërendohet me mirë puna për një bashkëpunim të frytshëm dhe konstruktiv midis institucioneve shtetërore, shoqatave të personave me aftësi të kufizuara dhe aktorëve ndërkombëtare për një monitorim dhe zbatim të plotë të Strategjisë Kombëtare për PAK". ...